Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se sot nga katër ferma në dy fshatra Gushicë, Verban të komunës se Vitisë, janë asgjësuar 19 krerë gjedhe të cilat kanë rezultuar pozitiv në sëmundjen tuberkulozit.
Në njoftim thuhet se pas kryerjes se hulumtimeve dignostike të cilat burojnë nga planet për luftimin e sëmundjeve infektive, kafshët në katër ferma kanë rezultuar pozitivë në sëmundjen e TBC. Duke u bazuar në Ligjin e Veterinarisë dhe rregulloret në fuqi, menjëherë ishte ndaluar lëvizja e kafshëve nga këto ferma (hyrje daljet).
“Pas krijim të kushteve teknike dhe logjistike, në mbikëqyrje të inspektorëve veterinarë të AUV-së është realizuar asgjësimi. Në lokacionin e përcaktuar nga Komuna e Vitisë, për groposje (varrezë) të kafshëve në kodrinën Bagdad. Pronaret e fermave janë urdhëruar qe të bëjnë pastrimin-dezinfektimin e mëpastajshëm të fermave dhe u është ndaluar popullimi për periudhën kohore gjashtëmujore”, thuhet në njoftim.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thekson se sipas mandatit të sajë ligjorë, përveç diagnostikimit dhe testimit laboratorik, përmes kompanisë se kontraktuar ka realizuar asgjësimin dhe dezinfektimin e hapësirave të qëndrimit të kafshëve. Po ashtu do të bëjë kompensimin e fermerëve për kafshët e humbura.
“Ruajtja e shëndetit të kafshëve është domosdoshme qe te kemi shëndet të mirë publikë. Hulumtojmë dhe punojmë çdo ditë për ta ruajtur atë”, thekson AUV.
/Motilokal.com