AMMK takon përfaqësuesit e Federatës së Motoçiklizmit të Kosovës

AMMK takon përfaqësuesit e Federatës së Motoçiklizmit të Kosovës

Përfaqësuesit e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), përkatësisht, Drejtori i Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” Bajram Kafexholli, Drejtori i Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Fatmir Morina dhe zyrtari ligjor i AMMK-së, Ali Sefaj, janë pritur në takim nga përfaqësuesit e Federatës së Motoçiklizmit të Kosovës, ku mes tjerash është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në ruajtjen e resurseve natyrore të Parqeve Kombëtare.

Me këtë rast përfaqësuesit e Federatës së Motoçiklizmit të Kosovës u njoftuan mbi rregullat ligjore dhe ndalesat e lëvizjes së motoçiklistëve brenda territorit të Parqeve Kombëtare. Po ashtu ata u njoftuan edhe për masat ndëshkuese të parapara për mos respektimin e rregullave përkatëse.

Sipas njoftimit të AMMK-së ky takim është realizuar në kuadër të aktiviteteve për mbrojtjen e resurseve natyrore të Parqeve Kombëtare nga veprimet ilegale dhe të kundërligjshme sikurse janë lëvizjet e motoçiklistëve në zonat e mbrojtura në territorin e parkut, si dhe rritjen e bashkëpunimit me institucionet e ndryshme për parandalimin e këtyre aktiviteteve.  

“Takime të ngjashme për të rritur bashkëpunimin dhe për të informuar palët mbi rregullat e veprimit dhe lëvizjes në territorin e Parqeve Kombëtare do të mbahen edhe në të ardhmen edhe me palë tjera të interesit”, thuhet në njoftim.

/Motilokal.com