StarLink autorizohet për ofrimin e shërbimeve në Kosovë

StarLink autorizohet për ofrimin e shërbimeve në Kosovë

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) më datë 18 tetor 2024 ka lëshuar autorizimin e përgjithshëm për kompaninë Starlink, një lider global për ofrimin e shërbimeve satelitore të qasjes në internet.

“Ky autorizim përfaqëson një hap të rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të territorit të Republikës së Kosovës. Në të gjithë globin, Starlink u ka mundësuar komuniteteve në nevojë të kenë qasje në arsim, shërbime shëndetësore, të mundësojnë punën në distancë dhe të ofrojnë mbështetje kritike të komunikimit gjatë fatkeqësive natyrore ose raste tjera të emergjencave kombëtare”, thuhet në njoftim.

Për më tepër bëhet e ditur se hyrja e kësaj kompanie në tregun vendor do të sjellë përfitime për ekonominë dhe zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës, duke krijuar mundësi të reja për inovacion.

“ARKEP do të vazhdoj angazhimin për rregullimin e aktiviteteve të komunikimeve elektronike duke promovuar investimet në vendin tonë, krijimin e kushteve për konkurrencë efektive si dhe ofrimin e shërbimeve me çmim të përballueshëm dhe kualitet të lartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, theksohet në komunikatë.

/Motilokal.com