Sa ndikon ndryshimi i kohës në humorin tonë?

Sa ndikon ndryshimi i kohës në humorin tonë?

Po i afrohemi fundjavës së fundit të tetorit, kur do të zbatohet e ashtuquajtura ora dimërore dhe orët e mëngjesit të së dielës do të kthehen një orë pas.

Sa ndikon kjo taktikë në humorin tonë dhe çfarë ndikimi ka në përditshmërinë tonë? Fakti që do të errësohet më herët tani na bën të ndihemi melankolikë apo të lumtur për orën shtesë të gjumit?

Shkencëtarët në Britani kanë nisur një studim për të kuptuar më mirë se si kthimi në kohën e dimrit ndikon në mirëqenien e njerëzve dhe perceptimin e kohës.

Studimet e mëparshme janë fokusuar shumë në efektet negative të ndryshimit të orës së pranverës në gjumin e njerëzve, performancën njohëse dhe prirjen ndaj aksidenteve, por dihet më pak për ndikimin e ndryshimit të vjeshtës ose se si këto ndryshime gjashtëmujore ndikojnë në perceptimin tonë për kalimin e kohës.

Profesorja Ruth Ogden në Universitetin John Moores të Liverpool-it, e cila drejtoi studimin, vëren se, “koha është një element jashtëzakonisht i anashkaluar i psikologjisë. Jetët tona janë të strukturuara nga një orë dhe ne të gjithë kemi një përfaqësim të brendshëm të kohës. Megjithatë, ne nuk kemi asnjë provë se si njerëzit e perceptojnë kohën dhe nëse ne mund të modifikojmë ndonjë përvojë negative, me qëllimin e mirëqenies."

Ogden u interesua për këtë fushë kërkimore pasi u përfshi në një aksident automobilistik në universitet, gjatë të cilit ndjeu se koha po ngadalësohej. Që atëherë, ajo ka eksploruar se si ngjarje të tjera shumë emocionale, përfshirë karantinën Covid-19 mund të shtrembërojnë perceptimin e njerëzve për kohën.

Një studim tjetër zbuloi se njerëzit që luftojnë me dhimbje kronike përjetojnë një ndjenjë të shtrembëruar të kohës.

Kontrolli i kohës dhe padrejtësitë sociale

Ekipi i ri hulumtues pret të mbledhë prova nëse grupet e margjinalizuara shoqërore ose ata që luftojnë me presionin e kohës, si prindërit e zënë, e përjetojnë ndryshimin e kohës ndryshe nga njerëzit që kanë më shumë kontroll mbi kohën e tyre.

"Ne jemi veçanërisht të interesuar në marrëdhënien midis kohës dhe pushtetit dhe se si kur njerëzit e tjerë kanë kontroll mbi kohën, kjo mund të krijojë lloje të ndryshme padrejtësie për grupe të caktuara", tha profesoresha Patricia Kingori, një sociologe në Qendrën Ethox të Universitetit të Oksfordit, e cila ka mbikëqyrjen e projektit të përgjithshëm.

Për shembull, ajo dhe kolegët e saj brazilianë punojnë me gra, fëmijët e të cilave përballen me probleme kronike shëndetësore për shkak se janë infektuar me virusin Zika. Sipas ligjit ndërkombëtar, ekziston vetëm një periudhë e shkurtër kohore në të cilën individë të tillë mund të ngrenë një çështje kundër shtetit, “megjithatë, kur njerëzit kanë përjetuar trauma, ata shpesh nuk janë në gjendje të mbledhin burimet për të bërë gjërat në kohë për të përmbushur atë afat, edhe pse ata gjithashtu mund të mendojnë se koha është ngadalësuar”, tha ajo.

Një shembull tjetër është presioni social që shumë gra ndiejnë për të pasur fëmijë gjatë periudhës së tyre pjellore të jetës ndërsa i nënshtrohen IVF dhe të cilat duket se po përjetojnë një "kohë të gabuar" kur mund të kenë fëmijë biologjikisht.

"Kontrolli i kohës është një lloj fuqie e butë që vepron mbi ne në mënyra që shpesh mund të na bëjnë të ndihemi vonë, të papërshtatshëm ose disi të gabuar, e megjithatë ne shpesh nuk e shohim atë si një formë pushteti", thekson ajo.

Qëllimi afatgjatë i projektit është të identifikojë strategjitë që mund të ndihmojnë në adresimin e këtyre pabarazive, duke çuar potencialisht në përmirësimin e mirëqenies individuale dhe sociale. Për Ogden ndryshimi i kohës jep një pasqyrë të vogël se çfarë ndodh kur koha nuk ndryshon në të njëjtën mënyrë për të gjithë, ose kur shoqëria vendos njëfarë kufizimi në kohë.

Ajo vetë sheh ide interesante që lindin nga kjo temë, si për shembull të kesh të drejtën e njeriut për kohën.

/Motilokal.com