Shkencëtarët: Moti më vdekjeprurës është përkeqësuar nga ndryshimet klimatike

Shkencëtarët: Moti më vdekjeprurës është përkeqësuar nga ndryshimet klimatike

Shkencëtarët konstatuan se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit kanë rritur intensitetin e fatkeqësive ekstreme të motit në 20 vitet e fundit, njoftoi BBC.

Në një studim të zhvilluar nga shkencëtarët e "World Weather Attribution" (WWA) në Imperial College London, u ekzaminua lidhja midis kushteve të rënda të motit dhe ndryshimeve klimatike.

Shkencëtarët rishqyrtuan të dhënat për 10 ngjarjet më të rënda të motit në 20 vitet e fundit ndërsa u fokusuan në ngjarje të tilla si thatësira që preku qindra mijëra njerëz në Somali dhe valët e të nxehtit që shkaktuan vdekjen e më shumë se tre mijë njerëzve në Francë.

Si rezultat i studimit, shkencëtarët erdhën në përfundim se këto ngjarje të motit janë bërë më intensive dhe më të mundshme për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu.

"Ky hulumtim duhet të jetë një mesazh për liderët politikë që vazhdojnë të mbahen pas karburanteve fosile që po ngrohin botën dhe po shkatërrojnë jetë", tha Friederike Otto, akademik në "Imperial College".

“Nëse vazhdojmë të djegim naftë, gaz dhe qymyr, vuajtjet do të vazhdojnë”, tha ajo.

Studiuesit thonë se numri i vërtetë i vdekjeve nga këto ngjarje ka të ngjarë të jetë dukshëm më i lartë se shifrat që ata citojnë.

Kjo për shkak se vdekjet e lidhura me valët e të nxehtit nuk priren të regjistrohen si të tilla në pjesën më të madhe të botës, veçanërisht në vendet më të varfra që janë më të cenueshme.

/Motilokal.com