Në Prishtinë është prezantuar raporti i UNICEF-it, "Analizë mbi gjendjen klimatike për fëmijët". Gjatë këtij prezantimi, ku mori pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me përfaqësues të organizatave dhe aktivistë të angazhuar në çështjet mjedisore, u shfaq një raport që vë në pah ndikimin e ndryshimeve klimatike, sfidave mjedisore dhe energjetike në të drejtat e fëmijëve dhe në qasjen e tyre në shërbimet jetësore në Kosovë, siç janë shëndetësia, arsimi dhe higjiena.
Sipas raportit, mjedisi dhe ndryshimet klimatike përbëjnë tri nga pesë faktorët kryesorë që rrezikojnë shëndetin e fëmijëve nën 5 vjeç në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Presidentja Osmani, gjatë fjalimit të saj, përmendi se rreth 23% e fëmijëve në Kosovë jetojnë nën kufirin kombëtar të varfërisë, duke ndikuar kështu në qasjen e tyre në ujë të pijshëm, strehim të përshtatshëm dhe energji të pastër, si dhe në shërbime të tjera jetësore.
"Verat tona po bëhen më të nxehta, dimrat më të paparashikueshëm, dhe po përballemi gjithnjë e më shumë me thatësira e përmbytje, me viktima në rajon dhe në kontinentin tonë. Numri i zjarreve në pyje është në rritje, ndërsa ajri që thithim është ndër më të ndoturit në Evropë dhe në botë", theksoi Osmani.
Ajo shtoi se me rritjen e temperaturave, miliona fëmijë në mbarë botën do të përballen me kequshqyerje si pasojë e ndikimit të klimës në prodhimet bujqësore.
Afrim Berisha, ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, theksoi se ndryshimet klimatike po ndikojnë në infrastrukturë, ekonomi, siguri, bujqësi dhe ushqim, por më së shumti në shëndetin e njerëzve.
Ai nënvizoi se fëmijët, sidomos në zonat urbane, po ndjejnë drejtpërdrejt ndikimet e temperaturave të larta, madje edhe në shkolla.
"Mungesa e ujit, si një nga pasojat më të mëdha të ndryshimeve klimatike, po ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e fëmijëve, të cilët po përballen gjithnjë e më shumë me sëmundje të shkaktuara nga këto ndryshime", shtoi Berisha.
Ai theksoi se shoqëria duhet të ndërmarrë më shumë veprime për të mbrojtur fëmijët nga ndikimet klimatike.
Kosova ka cilësinë më të keqe të ajrit në Evropë, duke tejkaluar mbi 25 herë kufirin e sigurt të përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për fëmijët.
/Motilokal.com
