Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përmes urdhrave të veçantë, ka ndërmarrë masa mbrojtëse kundër influencës aviare me patogjenitet të lartë të shpendëve, e cila është identifikuar në Kroaci, Danimarkë, Itali, Bullgari, Hungari, Gjermani, Poloni, Francë, Çeki, Sllovaki, Rumani, Moldavi, Spanjë, Portugali, Norvegji, Austri dhe Maqedoninë e Veriut.
Masat përfshijnë ndalimin e importit dhe tranzitimit përmes territorit të Republikës së Shqipërisë të shpendëve të gjallë shtëpiakë, zogjve 24-orësh, shpendëve dekorativë, materialit biologjik të shpendëve, vezëve, mishit të patrajtuar termikisht dhe nënprodukteve të tjera të patrajtuara termikisht.
Sipas INSTAT, në vitin 2023, në Shqipëri janë regjistruar 4.8 milionë krerë pula dhe prodhimi vjetor i vezëve ka arritur në 894 milionë kokrra.
Gjithashtu, Ministria ka marrë masa mbrojtëse edhe kundër sëmundjes së lisë së dhenve dhe dhive, e cila është shfaqur në Greqi, Turqi dhe Bullgari. Në këtë rast, janë ndaluar importi dhe tranzitimi i të gjitha kafshëve të gjalla të llojit të dhirta dhe të leshta, si dhe materialet biologjike dhe nënproduktet e tyre.
Masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe për mbrojtjen ndaj sëmundjes së gjuhës blu, e shfaqur në Suedi, Danimarkë, Portugali, Austri, Holandë dhe Spanjë.
/Motilokal.com