Disa organizata mjedisore, përfshirë EcoZ, Pishtarët, GAIA Kosovo dhe RiverWatch, kanë dorëzuar një ankesë në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë kundër Kosovës për ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Sharrit, duke pretenduar shkelje të ligjeve ndërkombëtare. Sipas këtyre organizatave, ankesa mbështet fushatën “Sharr National Park-No Dams”, duke ngritur shqetësime të shumta mjedisore dhe ligjore për ndikimin e këtyre hidrocentraleve. Në ankesë, theksohet se ndërtimi i hidrocentraleve bie ndesh me ligjet mjedisore të Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe kërkohet një rishikim urgjent.
Egzona Shala-Kadiu nga organizata “EcoZ” ka bërë të ditur se ankesa është për katër hidrocentrale të paligjshme në Parkun Kombëtar të Sharrit dhe ka njoftuar nisjen e një peticioni online për ndërprerjen e dëmtimit të natyrës. Sipas saj, që nga viti 2006, janë mbledhur të dhëna faktike dhe ligjore që tregojnë shkelje në procesin e licencimit të këtyre projekteve. Shkeljet kryesore përfshijnë vendosjen e hidrocentraleve brenda zonës 2 të parkut kombëtar, duke shkelur parimet dhe ligjet që mbrojnë këto zona.
Aktivisti Ali Sefaj ka theksuar rëndësinë e bashkimit të qytetarëve për t’i bërë presion qeverisë që të marrë parasysh shqetësimet dhe vërejtjet e tyre, ndërsa Ardian Ndrrecaj ka shtuar se hidrocentralet po shkelin edhe Ligjin për Ujërat, duke theksuar që prioriteti duhet të jetë furnizimi i popullsisë lokale me ujë dhe jo fitimet komerciale.
/Motilokal.com
