Kosova përballet me sfidën e ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës

Kosova përballet me sfidën e ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës

Kosova po përballet me sfida të mëdha mjedisore, përfshirë ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës, deklaroi ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë një konference për media.

Ministri Aliu, ndërsa prezantoi disa nga projektet për rrugë rajonale, foli edhe për ndotjen e ujërave sipërfaqësorë në vend. Sipas tij, situata është e ndërlikuar, pasi ndotja nuk kufizohet vetëm në ujërat, por prek gjithashtu ajrin dhe tokën, me shumë faktorë kontribuues.

“Ndotja nuk vjen vetëm nga ujërat e zeza, por edhe nga mbeturinat dhe deponitë e paligjshme, të cilat ndikojnë negativisht në cilësinë e ujërave dhe emetojnë metan, një gaz serë me ndikim të madh. Ajri i ndotur gjithashtu lidhet me këto probleme, duke përfshirë ndikimin e ujërave të zeza”, theksoi Aliu.

Ai shtoi se 70% e ndërtimeve në Kosovë janë informale, çka vështirëson ndërtimin e një sistemi kanalizimi efektiv. Megjithatë, ministri theksoi se të gjitha rajonet kanë projekte të dedikuara për përmirësimin e kësaj gjendjeje, të cilat po financohen në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.

Një nga projektet kryesore, sipas tij, është impianti i trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj, që pritet të sjellë ndikim të madh pozitiv, duke adresuar ndotjen serioze të ujërave në këtë rajon.

Ndërkohë, një raport i publikuar nga organizata mjedisore "Rilindja e Gjelbër" evidenton se, pas monitorimit të 10 lumenjve kryesorë në Kosovë, ata klasifikohen në gjendje të dobët ose të mjerueshme, duke përmbushur kriteret më të ulëta për cilësinë e ujërave sipërfaqësorë.

/Motilokal.com