Prirja për lojë është një sjellje e përhapur gjerësisht, e cila haset në shumë lloje kafshësh. Aspekti social i kësaj sjelljeje bazohet në nivele të larta të komunikimit. Deri më tani, "komunikimi lozonjar" nuk ishte studiuar në thellësi te gjitarët detarë. Por një studim i ri italo-francez, i publikuar në iScience, fokusohet pikërisht te ky lloj komunikimi te delfinët me hundë shishe.
Shkencëtarët nga Departamenti i Biologjisë i Universitetit të Pizës dhe Universiteti i Renit në Normandi, vërejnë se delfinët me hundë shishe hapin dhe mbajnë të hapur hundën e tyre kryesisht gjatë lojërave në grup dhe më pak kur janë vetëm. Madje, në titullin e punimit të tyre, studiuesit e krahasojnë këtë gjest të veçantë të hapjes së hundës gjatë lojës me buzëqeshjen njerëzore.
Kjo "mimikë" shfaqet më shpesh kur delfinët janë në fushën vizuale të një kafshe tjetër, gjë që sugjeron se këto krijesa ujore vëzhgojnë nëse delfinët e tjerë po i shohin gjatë lojës.

“Rezultati përputhet në mënyrë mbresëlënëse me ato që janë vërejtur te primatët socialë dhe mishngrënësit bashkëpunues”, theksojnë studiuesit, duke sugjeruar se këto ngjashmëri mund të jenë rezultat i rrugëve të përbashkëta evolutive ose i një konvergjence të pavarur.
Në çdo rast, shtojnë ata, kjo sjellje lidhet me aktivitetet lozonjare të delfinëve.
Kjo sjellje e përhapur e delfinëve, së bashku me aftësinë e tyre për të imituar në mënyrë të shpejtë, tregon rëndësinë e mekanizmave vizualë në formësimin e komunikimit kompleks, përfundojnë studiuesit.
/Motilokal.com
