Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar se gjatë natës kanë vazhduar reshjet e shiut, duke sjellë rënie gurësh e materialesh në rrugë, si në Skurraj-Burrel që janë pastruar menjëherë nga grupet e punës.
Në njoftim bëhet e ditur se në zonën veriore dhe në zonën juglindore të vendit kanë vazhduar reshjet e borës. Në Rajonin Verior në akset Bajram Curri-Valbonë, Ura e Zapodit-Shishtavec, Peshkopi-Kuben-Vasije, në Bulqizë-Peshkopi, Kukës-Bushtricë, Kukes-Krumë, Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh, Bogë-Theth, gjatë natës ka pasur reshje dëbore me intensitet të lartë, mjetet borëpastruese kanë vijuar punën pa ndalur qarkullimi kryhet pa probleme.
Në Rajonin Jugor në akset Korçë-Ersekë (kryesisht në Qafën e Qarrit), Bobshticë-Dardhë, Qafë Thanë kanë vazhduar reshjet e borës me intensitet mesatar, rrugët janë te pastruara dhe qarkullimi kryhet pa probleme.
“Drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit për shkak të lagështisë në rrugë, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë bore”, apelon ARRSH.
/Mtilokal.com
