Industria evropiane e automjeteve në krizë: Mbyllje fabrikash dhe largime nga puna

Industria evropiane e automjeteve në krizë: Mbyllje fabrikash dhe largime nga puna

Industria e automjeteve në Evropë po përballet me mbylljen e përhapur të fabrikave dhe largime masive nga puna, duke paraqitur sfida domethënëse për sektorin, të shoqëruara me probleme teknologjike dhe gjeopolitike, transmeton Anadolu.

Biznesi i automjeteve i Bashkimit Evropian (BE) po lufton kundër konkurrencës në rritje dhe kërkesës së dobët.

Përparimet nga Kina dhe SHBA-ja në industrinë e automjeteve kanë tërhequr vëmendjen në rritje në Evropë, ku sektori po përballet me konkurrencë të shtuar nga prodhuesit kinezë. Krahas rritjes së kostove, tranzicioni i ngadaltë nga automjetet tradicionale me motor me djegie në automjetet elektrike (EV) gjithashtu ka penguar rritjen dhe inovacionin në këtë sektor.

Shumë prodhues të automjeteve dhe komponentëve të automjeteve së fundmi kanë njoftuar plane të mëdha ri-strukturimi, përfshirë mbylljen e fabrikave dhe shkarkime nga puna, pasi ato synojnë të zbusin ndikimin e uljes së porosive dhe rritjes së kostove. Përpjekjet për tranzicionin në automjetet elektrike janë të vazhdueshme, por shumë kompani po luftojnë për të përmbushur kërkesën në rritje.

"Bosch", një kompani e madhe inxhinierike gjermane dhe furnizues kryesor në sektorin evropian të automjeteve njoftoi se do të shkurtojë 5.500 vende pune në nivel global brenda divizionit të saj të automobilave, së bashku me orare të shkurtra të punës në objektet e saj të prodhimit.

"Schaeffler Group", një furnizues gjerman industrial dhe i makinave, më 5 nëntor zbuloi se do të shkarkojë nga puna 4.700 punonjës në të gjithë Evropën, përfshirë 2.800 në Gjermani, masë në përgjigje të kërkesës së dobët nga prodhuesit e automjeteve. Kompania njoftoi planet për mbylljen e fabrikave në Austri dhe Britani të Madhe.

"Volkswagen", gjiganti gjerman i automjeteve, aktualisht po përballet me krizën më të madhe strukturore dhe të kostos në histori. Kompania ka propozuar një ulje prej 10 për qind të pagave për punëtorët për të ulur kostot dhe për të ruajtur pjesën e saj të tregut.

Ky plan i kompanisë gjermane u ndesh me protesta dhe diskutime me sindikatën e metal-punuesve "IG Metall", ndërkohë që zgjidhje ende nuk është arritur. Kompania planifikon të mbyllë fabrikat e prodhimit në Gjermani dhe fabrikën prodhuese "Audi" në Bruksel.

"Feintool", një furnizues makinash me bazë në Zvicër, dje tha se do të mbyllë një nga fabrikat e saj të prodhimit në Gjermani dhe do të largojë nga puna 200 punonjës. Prodhimi në objektin gjerman do të zhvendoset në fabrikën në Hungari.

"Valeo", një furnizues francez i pjesëve të makinave, më 27 nëntor njoftoi se do të shkarkojë nga puna rreth një mijë punonjës në të gjithë Evropën për shkak të përpjekjeve për ri-strukturim dhe planeve për mbylljen e dy fabrikave në Francë.

"Stellantis", prodhuesi global i automjeteve, më 26 nëntor zbuloi se do të mbyllë një fabrikë në Britani. Më 1 dhjetor, shefi ekzekutiv i kompanisë "Stellantis", Carlos Tavares dha dorëheqje dhe kompania pezulloi operacionet në fabrikën e saj kryesore në Torino të Italisë, duke përmendur kërkesën e ulët.

"Ford Motor" më 20 nëntor tha se do të zbatojë një plan ri-strukturimi që synon përmirësimin e konkurrencës së kostos dhe ruajtjen e zhvillimit në Evropë derisa industria kalon në automjete elektrike. Kompania konfirmoi po ashtu se do të largojë nga puna 4 mijë punonjës në të gjithë Evropën.

"Michelin", prodhuesi francez i gomave, njoftoi se deri në fillim të vitit 2026 do të mbyllë dy fabrika në Francë, duke prekur 1.254 punonjës. "Johann Vitz GmbH", furnizuesi 106-vjeçar i pjesëve të automjeteve, paraqiti kërkesën për falimentim dhe po i nënshtrohet ri-strukturimit.

Ndërkohë, sipas Institutit "ifo" me bazë në Mynih, ndjenja e biznesit midis prodhuesve gjermanë të automjeteve ra ndjeshëm në muajin nëntor për shkak të pakësimit të porosive.

Porositë kanë qenë në mungesë, edhe pse disa prodhues kanë parë një rritje të kërkesës që nga pandemia COVID-19, derisa industria e automjeteve mbetet e pasigurt mbi ndikimin e ardhshëm të politikave të SHBA-së nën presidentin Donald Trump.

/AA/Motilokal.com