Disa prodhues kryesorë kinezë do të fokusohen në rritjen e shitjeve të veturave hibride në Bashkimin Evropian. Me këtë lëvizje kinezët duan të shmangin tarifat e reja për veturat elektrike që eksportojnë në Evropë.
Në kontekstin e tensioneve midis Bashkimit Evropian dhe Kinës për tarifat e reja për veturat elektrike të importuara në Evropë, disa prodhues në vendin aziatik tani kanë filluar të luajnë një kartë tjetër. Gjegjësisht, tani markat kryesore kineze do të fokusohen në importimin e një numri më të madh të modeleve hibride.
Në Bashkimin Evropian, veturat me këtë lloj motori, edhe ato që vijnë nga Kina, nuk i nënshtrohen tarifave të reja. Nga ana tjetër, kinezët janë të kënaqur me rritjen e shitjeve të hibrideve, veçanërisht pasi hibridet kanë marrë fronin nga veturat me benzinë në dy muajt e fundit. Një në tre automjete të shitura në muajin e 10-të në Evropë e kishin këtë motor gjithnjë e më popullor.
Taksat e reja hynë në fuqi në korrik dhe fillimisht ishin të përkohshme. Duke filluar nga fundi i tetorit, Bashkimi Evropian vendosi tarifa përfundimtare për të gjitha veturat elektrike të prodhuara në Kinë. Këto taksa janë të vlefshme për pesë vitet e ardhshme dhe aplikohen krahas tarifës ekzistuese prej 10 për qind për importin e veturave që vijnë nga jashtë Bashkimit Evropian.
Sipas të dhënave të reja nga Shoqata Kineze e Turizmit (CPCA), 65,800 vetura me motorë hibridë janë eksportuar në Evropë nga korriku deri në tetor. Kjo paraqet një trefishim të eksportit të këtyre veturave në Kontinentin e Vjetër krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Veturat me motorë të thjeshtë hibridë dhe hibrid plug-in përbënin 18 për qind të shitjeve të veturave kineze në Evropë në tremujorin e tretë të këtij viti. Për shkak të kësaj, pjesa e këtyre automjeteve është dyfishuar në krahasim me tre muajt e parë të këtij viti, kur shitjet e veturave hibride kineze në Evropë përbënin vetëm 9 për qind të shitjeve totale.
/Motilokal.com
