Sot në Prishtinë u mbajt Konferenca “United for Future With Children”, një ngjarje e rëndësishme që përmbylli punën 3-vjeçare me grupet e fëmijëve “Asambleistët Mjedisorë”. Ky projekt ka pasur si fokus mbrojtjen e mjedisit dhe është realizuar në partneritet me Save the Children Kosova, me mbështetje financiare nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim.
Në fjalën e saj drejtoresha e organizatës EcoZ, Egzona Shala, theksoi se ky është një moment i rëndësishëm, jo vetëm për përmbylljen e një projekti trevjeçar, por edhe për reflektimin mbi arritjet e jashtëzakonshme që janë realizuar së bashku. Ajo tha: "Kjo nuk është thjesht një ngjarje përmbyllëse, por një moment reflektimi, krenarie dhe frymëzimi për të gjitha arritjet që kemi realizuar së bashku. Që në fillim të këtij udhëtimi, vizioni ynë ishte i qartë: të fuqizojmë komunitetet, të edukojmë fëmijët dhe të promovojmë qasje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për të adresuar sfidat mjedisore dhe klimatike në Kosovë."
Drejtoresha vazhdoi duke përmendur disa nga momentet më të rëndësishme të projektit, përfshirë angazhimin e fëmijëve dhe të rinjve, fushatat edukative, dhe promovimin e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit. “Kemi realizuar më shumë se 20 aktivitete në të gjithë Kosovën, duke ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë të kenë një rol aktiv në mbrojtjen e mjedisit,” tha ajo.
Mes aktiviteteve më të rëndësishme të projektit, Shala përmendi:
- Fuqizimi i të Rinjve dhe Fëmijëve: Angazhimi i shkollave dhe fëmijëve në draftimin e rregulloreve mjedisore, si dhe trajnime mbi mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.
- Promovimi i Ndërgjegjësimit dhe Veprimit Mjedisor: Fushata “1 Milion Pemë” dhe shpërndarja e audiolibrave edukativë për fëmijët dhe mjedisin.
- Ngritja e Kapacitetëve dhe Avokimi: Trajnime dhe punëtori për drejtuesit e shkollave, përfaqësuesit e komunave dhe shoqatave civile për të forcuar qeverisjen mjedisore.
- Bashkëpunimi Ndërkombëtar: Mundësitë për shkëmbim përvojash ndërkombëtare, si dhe mbështetje për ndërtimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit.
- Përfshirja e Shoqërisë Civile dhe Komuniteteve Lokale: Bashkëpunimi me Rrjetin Mjedisor të Kosovës për të ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve dhe promovimin e veprimeve mjedisore.
Ndërsa drejtoresha e Departamentit për Bashkëpunim, Raportim dhe Promovim nga Institucioni i Avokatit të Popullit, Valbona Puka Gola, e cila pati mundësinë të flasë në këtë ngjarje të rëndësishme, ndau një pasqyrë të thellë për rolin e zyrës së Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e mjedisit dhe ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndetin e tyre. Ajo theksoi se, si institucioni që i mbron të drejtat e qytetarëve, Avokati i Popullit ka një përgjegjësi të veçantë për të siguruar që fëmijët, si grup i cenueshëm, të kenë një ambient të shëndetshëm për të jetuar.
Puka Gola theksoi se një nga shqetësimet kryesore që ka ndikuar negativisht te fëmijët është ndotja e ajrit, e cila ka pasur pasoja të rënda shëndetësore për shumë fëmijë, veçanërisht ata që jetojnë në zona me ndotje të lartë si në Komunën e Obiliqit. Ajo solli si shembull shumë raste ku fëmijët janë prekur nga sëmundje të frymëmarrjes dhe janë detyruar të përdorin inhalatorë për të luftuar problemet shëndetësore të shkaktuara nga ajri i ndotur.
Ajo theksoi rëndësinë e përfshirjes së institucioneve dhe organizatave mjedisore në adresimin e këtyre çështjeve dhe kërkimin e zgjidhjeve që mund të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.
Në përfundim, drejtoresha e Departamentit apeloi për angazhim të mëtejshëm nga të gjitha palët, përfshirë qeverinë, shoqërinë civile dhe komunitetet lokale, në mënyrë që të krijohen kushte më të mira për fëmijët dhe të gjithë qytetarët, duke ndihmuar në mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës.
/Motilokal.com
