Lansohet ankandi i parë i erës prej 100 MW

Lansohet ankandi i parë i erës prej 100 MW

Ministria e Ekonomisë ka lansuar të mërkurën ankandin e parë për energji të erës me kapacitet prej 100 MW, një zhvillim ky që konsiderohet vendimtar për sektorin energjetik dhe ekonominë e vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi se Kosova po e përmbyll këtë vit me sukses, duke përfshirë edhe këtë iniciativë të rëndësishme. Ai shtoi se ekonomia e Kosovës po rritet me ritmin më të shpejtë në rajon dhe se Qeveria është e përkushtuar ndaj drejtësisë në ekonomi dhe mjedis.

“Këtë vit jashtëzakonisht të suksesshëm për sektorin e energjisë po e përmbyllim me hapjen e ankandit të parë të erës prej 100 MW në Kosovë. Ekonomia jonë po rritet me një ritëm të shpejtë, me një rritje mesatare të Bruto Produktit Vendor prej 6.36% gjatë tre viteve të fundit. Kemi dyfishuar eksportet dhe investimet e huaja direkte. Sulmi në Ibër Lepenc na dëshmoi sa është e rëndësishme të forcohemi edhe energjetikisht”, tha Kurti.

Ai njoftoi gjithashtu për synimin e Kosovës që deri në vitin 2031 të arrijë 1600 MW nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, duke përfshirë potencialin e madh natyror për energjinë diellore dhe atë të erës.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vlerësoi se ankandi i parë për energjinë e erës është një hap i rëndësishëm për gjenerimin e energjisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Po përmbyllim këtë vit me një hap të madh drejt së ardhmes. Ky projekt është jetik për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës. Sot po nis faza e para-kualifikimit, e cila do të udhëhiqet me transparencë, dhe përfituesi më i madh do të jenë qytetarët”, tha Rizvanolli.

Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Conrad, përgëzoi iniciativën dhe theksoi rëndësinë e saj për kalimin nga energjia e papastër në atë të pastër.

“Ky është një hap i madh për të krijuar një të ardhme miqësore për mjedisin. Ankandi për 100 MW përfaqëson një sasi domethënëse të prodhimit të energjisë së pastër dhe synimi i Kosovës për 35% energji të pastër deri në vitin 2031 është i realizueshëm dhe ambicioz”, deklaroi Conrad.

Ky projekt përfaqëson një gurthemel për transformimin energjetik të Kosovës dhe një shembull të qartë të përkushtimit të vendit ndaj energjisë së ripërtëritshme.


/Motilokal.com