Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), bazuar në të dhënat nga mbikëqyrja javore e gripit sezonal, ka raportuar një rritje të rasteve me grip krahasuar me javët e kaluara. Që nga fillimi i sezonit të gripit, në muajin tetor, deri më tani janë konfirmuar 52 raste përmes Laboratorit të Mikrobiologjisë, disa prej të cilave, për shkak të ashpërsisë së simptomave, janë trajtuar në spital.
IKSHPK thekson se vaksinimi është mënyra më efikase për të parandaluar përhapjen e virusit të gripit. Qytetarëve u bëhet thirrje të vaksinohen në njësitë e vaksinimit (QKMF/QMF) në komunat ku jetojnë, me qëllim të parandalimit të rasteve të reja dhe shmangies së komplikimeve të mundshme shëndetësore. Efekti i vaksinës fillon një deri në dy javë pas marrjes dhe mbrojtja zgjat rreth një vit.
Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me IKSHPK-në, ka siguruar 85,000 doza të vaksinës sezonale për sezonin e gripit 2024/2025. Deri më 30 nëntor, janë administruar 61,467 doza për grupet më të rrezikuara, përfshirë grupmoshat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, profesionistët shëndetësor, gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës 0-5 vjeç. Vaksina rekomandohet gjithashtu për grupe të tjera të popullsisë, pa dallim moshe.
Përveç vaksinimit, qytetarët ftohen të zbatojnë masat parandaluese për të kufizuar përhapjen e virusit të gripit sezonal dhe infeksioneve të tjera të rrugëve të frymëmarrjes.
/Motilokal.com
