Qafa e Thores e mbuluar nga bora, Balluku: Ekipet në gatishmëri për të garantuar qasje në qarkullim

Qafa e Thores e mbuluar nga bora, Balluku: Ekipet në gatishmëri për të garantuar qasje në qarkullim

Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku tha sot se të gjitha ekipet e punës dhe borëpastrueset janë në terren për të garantuar lëvizjet e mjeteve pa asnjë problematikë.

Balluku, përmes një postimi në rrjetet sociale ka publikuar pamjet nga Qafa e Thores e mbuluar nga petku i borës. “Ekipet tona janë në gatishmëri të plotë me mjete të sofistikuara për të garantuar qasje për një qarkullim pa problematika”, thotë Balluku në postim.

Ndërkohë, në njoftimin e një dite më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar u shpreh se në Qafë Thore vazhdon puna pa u ndalur. Një aks me terren të vështirë malor, me lartësi mbi 1800 metra mbi nivelin e detit, temperaturat e ulëta dhe rënia e ortekëve e kanë bërë edhe më të vështirë punën e mjeteve borëpastruesve dhe të punëtorëve.

ARRSH u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve që të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore duke reduktuar shpejtësinë, duke u pajisur me zinxhirë dhe goma dimërore.


/Motilokal.com