Motori me naftë apo benzinë: Cili është më i mirë për vozitje gjatë dimrit?

Motori me naftë apo benzinë: Cili është më i mirë për vozitje gjatë dimrit?

Dimri nuk sjell vetëm temperatura të ulëta, por edhe një sërë sfidash të reja për drejtuesit e automjeteve. Rrugët e akullta zvogëlojnë kontrollin e automjetit, ndërsa temperaturat e ulëta sforcojnë bateritë dhe komponentët e motorit, duke e bërë drejtimin më të vështirë. Edhe udhëtimet më të shkurtra bëhen sfiduese për shkak të nisjeve të ngadalta dhe kohës së gjatë për ngrohjen e motorit. Për më tepër, dimri ndikon negativisht në ekonominë e karburantit, duke ngritur pyetjen: cili motor është më i përshtatshëm për të përballuar të ftohtin ai me naftë apo benzinë?

Nafta kundrejt benzinës në dimër

Përgjigjja nuk është e thjeshtë, pasi të dyja llojet e motorëve kanë avantazhe dhe disavantazhe në kushtet dimërore. Motorët me naftë janë të njohur për efikasitetin e tyre, çift rrotulluesin e lartë dhe aftësinë për të përballuar ngjeshje të mëdha. Ndërkohë, motorët me benzinë janë më të lehtë, më të qetë dhe kërkojnë më pak mirëmbajtje. Por kur temperaturat bien dhe dimri sjell sfida shtesë, cilët prej tyre e përballojnë më mirë të ftohtin?

Ndikimi i dimrit në performancën e motorëve

Moti i ftohtë shton ngarkesën mbi komponentët e motorit, duke ngadalësuar aftësinë e tij për t’u ngrohur dhe për të arritur performancën optimale. Ajri i ftohtë dhe i dendur kërkon më shumë energji për fuqizimin e automjetit.

Motorët me naftë:

Në temperatura të ulëta, nafta dhe vajrat e motorit bëhen më të trashë, duke e bërë ndezjen të vështirë. Kur temperatura zbret nën zero, karburanti dizel mund të fillojë të ngurtësohet, duke bllokuar linjat e karburantit. Ky fenomen, i njohur si xhelifikim i karburantit, ndodh shpesh midis -18°C dhe -20°C. Megjithatë, përdorimi i aditivëve të veçantë ose i karburantit të dimrit mund të ndihmojë në reduktimin e këtij problemi.

Motorët me benzinë:

Në krahasim me motorët me naftë, motorët me benzinë janë më pak të ndjeshëm ndaj të ftohtit, pasi benzina nuk ka tendencë të xhelifikojë. Ata ndezën lehtësisht dhe ruajnë lëngshmërinë e karburantit edhe në temperatura ekstreme. Por gjithsesi, edhe këta motorë përjetojnë një ulje të efikasitetit të karburantit për shkak të kohës më të gjatë të ngrohjes.

Efikasiteti i karburantit në dimër

Temperaturat e ulëta ndikojnë në mënyrë të ndryshme në efikasitetin e karburantit për të dy llojet e motorëve. Motorët me benzinë mund të humbasin deri në 22% të efikasitetit të tyre gjatë dimrit, ndërsa motorët me naftë, edhe pse më efikas, përballen me sfida të ngjashme për shkak të xhelifikimit të karburantit dhe temperaturave të ulëta.

Motorët me benzinë kanë avantazh në nisjet e ftohta për shkak të kompresionit të ulët dhe ndezjes më të shpejtë. Përkundrazi, motorët me naftë kërkojnë më shumë kohë dhe ngrohës për të ndezur ajrin në cilindra, duke e bërë ndezjen më të vështirë.

Në kushtet dimërore, motorët me benzinë ofrojnë nisje më të shpejta dhe janë më të përshtatshëm për udhëtime të shkurtra. Ndërkohë, motorët me naftë janë më efikas në konsumin e karburantit dhe më të fuqishëm në kushte të rënda rrugore, por kërkojnë kujdes shtesë për të shmangur problemet me karburantin në temperatura shumë të ulëta.

/Motilokal.com