Zona Prizren-Kukës dridhet nga tërmeti: Sizmologu Mustafa jep detajet

Zona Prizren-Kukës dridhet nga tërmeti: Sizmologu Mustafa jep detajet

Një tërmet me magnitudë 2.9 sipas shkallës Rihter ka goditur territorin e Kosovës dhe Shqipërisë më 6 janar 2025, në orën 20:22.

Lajmin e ka bërë të ditur Shemsi Mustafa, nga Rrjeti Sizmologjik i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës.

Sipas tij, epiqendra e tërmetit ndodhej 18.5 km në jugperëndim të Prizrenit dhe 11.5 km në verilindje të Kukësit, në fshatin Rapçë. Mustafa shtoi se tërmeti është ndier dukshëm nga banorët e zonës jugperëndimore të Kosovës.

“Ky sizmicitet nuk kishte potencial për të rrezikuar qytetarët apo për të shkaktuar dëme materiale për shkak të forcës së ulët. Megjithatë, këto tërmete tregojnë se zona sizmogjene e Prizrenit është aktive dhe, sipas llogaritjeve dhe studimeve të Hartës së Rrezikut Sizmik për Kosovë, mund të gjenerojë tërmete me magnitudë më të madhe në të ardhmen,” theksoi Mustafa.

Po ashtu, një tjetër tërmet me magnitudë 2.6 shkallë të Rihterit ka goditur Kosovën më herët, në orët e pasdites të së njëjtës ditë, më 6 janar 2025.

Sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane të Mesdheut (EMSC), tërmeti është ndjerë pranë kufirit mes Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Thellësia e këtij tërmeti ishte 8 km.


/Motilokal.com