Qindra vetura që qarkullojnë në rrugët e Kosovës janë të vjetruara dhe nuk plotësojnë standardet mjedisore. Përdorimi i karburanteve të cilësisë së ulët dhe mungesa e kontrollit teknik efektiv po ashtu kontribuojnë në ndotjen e ajrit. Emetimet e larta të gazrave si dioksidi i karbonit (CO2), oksidet e azotit (NOx) dhe grimcat e imta (PM2.5 dhe PM10) kanë ndikim të dëmshëm për shëndetin publik, veçanërisht në qytetet e mëdha si Prishtina, ku dendësia e trafikut është më e lartë.
Sipas të dhënave dhe raporteve të Policisë së Kosovës, numri i aksidenteve rrugore në vend vazhdon të jetë shqetësues. Shkaktarët kryesorë të këtyre aksidenteve janë shpejtësia e tejkaluar, mosrespektimi i rregullave të qarkullimit dhe përdorimi i automjeteve të amortizuara që nuk ofrojnë siguri të mjaftueshme. Veçanërisht shqetësues është fakti që një pjesë e konsiderueshme e automjeteve që përfshihen në aksidente janë ato të cilat teknologjikisht janë të papërshtatshme dhe nuk plotësojnë kushtet për qarkullimin rrugor.
Për mosrespektim e këtyre rregullave tashmë Policia e Kosovës do të shqiptojë gjoba për shoferët, vetura e të cilëve nuk i plotësojnë kushtet rrugore.
Për raste të ndotjes mjedisore e enkas për aksidentet e edhe veprimet që të njëjtat të shmangen, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar shtatë veprime.
Sipas IPK-së këto rekomandime kanë ardhur nga inspektimi që është realizuar në bazë të Planit Vjetor të Inspektimeve të Rregullta për vitin 2024, për të vlerësuar përkushtimin dhe seriozitetin e njësive policore për të reaguar me shpejtësi në aksidente, shpëtimin e jetëve të qytetarëve, menaxhimin e duhur të vendit të aksidenteve dhe në përgjithësi, ngritjen e sigurisë rrugore në vend.
Objektivat e këtij inspektimi kanë qenë: vlerësimi i kapaciteteve operacionale të njësive rajonale të trafikut, matja dhe vlerësimi i kohës së reagimit policor në thirrjet për aksidente, vlerësimi i veprimeve policore gjatë trajtimit të aksidenteve rrugore, si dhe vlerësimi i administrimit të dosjeve të aksidenteve.
Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturat policore të Divizionit të Trafikut Rrugor (Njësitë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe Njësinë për Kontrollin e Autostradës), duke përfshirë nivelin drejtues dhe atë operativ.
IPK në kuadër të Raportit ka dhënë shtatë (7) rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e përmbushjes së strukturës me personel të mjaftueshëm, përfshirjes më të gjerë të personelit në trajnime profesionale dhe të avancuara, pajisjes së njësive me pajisje për regjistrim dhe skanim të të dhënave nga vendi i aksidentit dhe përdorimit të programeve të licencuara për skicimin e vendit të aksidentit.
Gjithashtu, Raporti i inspektimit shtron nevojën e pasqyrimit të mjaftueshëm të veprimeve dhe elementëve tjerë në raportet e ekzaminimit të vendit të aksidentit, përdorimit më efektiv të alkool testit për matjen e prezencës së alkoolit tek personat e përfshirë në aksidente, respektimit të protokolleve të parapara lidhur me skicimin/matjen/fotografimin e vendit të aksidentit, si dhe ngritjes së cilësisë së kallëzimeve penale me informata të mjaftueshme.

/Motilokal.com
