Një studim i kryer nga shkencëtarët e Universitetit të Majamit ka zbuluar se dhjetëra ndërtesa luksoze në Floridën Juglindore po fundosën me një ritëm shqetësues. Midis viteve 2016 dhe 2023, 35 ndërtesa nga Golden Beach deri në Miami Beach u zbuluan të ishin ulur deri në 7.6 cm. Në këtë listë përfshihen ndërtesa prestigjioze si Ritz-Carlton Residences, Trump Tower III, Trump International Beach Resort dhe Surf Club Towers.

Sipas studiuesve, shkaku kryesor i këtij fenomeni është dridhja e tokës për shkak të ndërtimeve të vazhdueshme, që shkaktojnë ngjeshjen e saj dhe fundosjen graduale. "Ky fenomen është si lëkundja e kafes së bluar për të krijuar më shumë hapësirë", shpjegon për CNN Falk Amelung, autori kryesor i studimit dhe profesor i gjeofizikës në Universitetin e Majamit.
Një zbulim i tronditshëm ishte fakti se ky proces vazhdon edhe pas përfundimit të ndërtimit, një aspekt që inxhinierët shpesh nuk e parashikojnë. Ky studim nisi pas shembjes tragjike të kullave Champlain në Surfside, Florida, në vitin 2021, megjithëse nuk u gjetën prova të fundosjes para tragjedisë.

Përdorimi i imazheve satelitore mundësoi që shkencëtarët të gjurmonin lëvizjet e vogla të sipërfaqes dhe të vëzhgonin pika të caktuara të ndërtesave, si ballkone dhe njësitë e ajrit të kondicionuar, për të matur zhvendosjet me kalimin e kohës.
Ky fenomen është një kërcënim i dyfishtë për Majamin: fundosja e tokës dhe rritja e nivelit të detit për shkak të ndryshimeve klimatike. Në disa zona, ndërtesat po fundosën me të njëjtin ritëm që rritet niveli i detit, duke përkeqësuar efektet negative dhe rrezikun e përmbytjeve të rënda.

Megjithatë, studiuesit besojnë se këto gjetje mund të shërbejnë për të monitoruar ndërtesat në të ardhmen dhe për të parandaluar katastrofat, duke përdorur teknologji që mund të funksionojë si një sistem kujdesi shëndetësor për strukturat.
/Motilokal.com
