Rizvanolli në Davos: Kosova drejt energjisë së pastër dhe të qëndrueshme

Rizvanolli në Davos: Kosova drejt energjisë së pastër dhe të qëndrueshme

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku Kosova prezantohet për herë të parë me hapësirën e saj “Shtëpia e Kosovës”, duke paraqitur vizionin për zhvillim ekonomik dhe energji të qëndrueshme.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Rizvanolli vuri në pah arritjet e qeverisë dhe planet për transformimin e sektorit energjetik.

“Gjatë mandatit tonë kemi dyfishuar eksportet dhe investimet e tyre. Kemi gjeneruar 33% më shumë të ardhura tatimore, pa rritur tatimet, por duke harmonizuar administratën dhe digjitalizuar mbi 100 shërbime administrative”, tha ajo, duke nënvizuar progresin ekonomik të Kosovës.

Në fokusin e diskutimit ishte tranzicioni energjetik, një sfidë kryesore për Kosovën. Ministrja theksoi se varësia nga linjiti për 90% të energjisë elektrike është një pengesë për ambiciet për një të ardhme më të gjelbër dhe më të shëndetshme.

“Tema e këtij paneli, shfrytëzimi i energjisë së pastër për një të ardhme të qëndrueshme, përkon me vizionin tonë. Synojmë të ulim emetimet e gazrave serë për 30% dhe të rrisim prodhimin e energjisë së ripërtërishme për 25%. Planifikojmë ndërtimin e 1300 megavatëve kapacitete të reja, duke përfshirë energjinë diellore", deklaroi Rizvanolli.

Ajo shtoi se qytetarët janë në qendër të këtij procesi. “Tranzicioni energjetik do të sigurojë përballueshmëri, mbrojtje për konsumatorët e cenueshëm dhe qasje në investime për efikasitet energjetik për të gjithë. Askush nuk do të mbetet pas në këtë proces", përfundoi ministrja.

Kosova, përmes “Shtëpisë së Kosovës” në Davos, po prezantohet si një vend me ambicie të qarta për transformim ekonomik dhe energjetik, duke u renditur në mesin e aktorëve globalë për një të ardhme më të gjelbër dhe të qëndrueshme.

/Motilokal.com