Pamje të rralla nga Florida me borë

Pamje të rralla nga Florida me borë

Një masë ajri të ftohtë arktik ka përfshirë më shumë se gjysmën e Shteteve të Bashkuara, duke sjellë temperatura jashtëzakonisht të ulëta dhe kushte dimërore të ashpra. Reshjet më të mëdha të borës në disa dekada janë regjistruar në jugun e largët, përfshirë New Orleansin, ku reshjet tejkaluan rekordin e vitit 1948.

Në shumë shtete federale, ngricat dhe shiu i akullt kanë shkaktuar mbylljen e aeroporteve, shkollave, institucioneve shëndetësore dhe rrugëve kryesore. Ajri i ftohtë ekstrem ka prekur mbi 170 milionë amerikanë, duke krijuar sfida të shumta për komunitetet lokale.

Ditët e fundit, temperaturat e ulëta kanë shkaktuar pasoja serioze, përfshirë edhe ndryshimin e ceremonisë së inaugurimit të presidentit Donald Trump, e cila u zhvendos brenda ndërtesës së Kongresit për shkak të kushteve të motit. Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik (NWS), pjesa më e madhe e vendit po përballet me një valë të pazakontë të të ftohtit.

Deri tani, të ftohtit ekstrem ka marrë jetën e katër personave: dy raste të lidhura me hipoterminë janë raportuar në Austin, Texas, dhe dy të tjera në Georgia dhe Milwaukee.

Në jug të vendit, ku klima është zakonisht e butë dhe tropikale, autoritetet paralajmëruan për ngrica dhe rrezik hipotermie. Në New Orleans, reshjet e borës arritën mbi 15 centimetra, ndërsa në perëndim të qytetit për herë të parë u lëshua një paralajmërim për stuhi bore në disa qarqe të Louisianës.

Fluturimet komerciale në aeroportet kryesore, përfshirë ato në New Orleans, Houston dhe Tallahassee, janë pezulluar. Në total, mbi 2200 fluturime janë anuluar, dhe rreth 3000 të tjera janë vonuar, sipas platformës FlightAware.

Borë në Florida, Georgia dhe Karolina

Stuhia dimërore ka goditur Texasin dhe veriun e Gjirit, duke sjellë reshje dëbore rekord dhe shi akullt. Zona si Florida Panhandle, Georgia dhe Karolina e Veriut e Jugut po përballen me mot të ashpër dhe paralajmërime për ngrica dhe akull deri të mërkurën. Në Jacksonville, Florida, borë dhe ngrica kanë paralizuar aktivitetet, duke shkaktuar mbylljen e aeroportit ndërkombëtar, shkollave dhe zyrave qeveritare.

Në veri të ShBA-së dhe provincat kanadeze Ontario dhe Quebec, temperaturat e ulëta dhe era e fortë kanë ulur ndjesinë termike deri në -50°C. Në shtetin e New Yorkut, dhjetëra centimetra borë kanë detyruar guvernatoren Kathy Hochul të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në shumë qarqe.

Kushtet ekstreme janë shkaktuar nga një masë ajri arktik e ardhur nga Kanadaja, e kombinuar me ajër të lagësht dhe presion të ulët atmosferik. Ky kombinim ka krijuar kushte të rralla që kanë përfshirë pothuajse të gjithë vendin.


/Motilokal.com