Energjia diellore tejkalon qymyrin për herë të parë në Evropë

Energjia diellore tejkalon qymyrin për herë të parë në Evropë

Energjia diellore ka gjeneruar 11 për qind të energjisë elektrike në gjithë BE-në në vitin 2024, duke kapërcyer qymyrin për herë të parë, zbuloi një raport i sapobotuar, transmeton Anadolu.

BE-ja bëri përparim të rëndësishëm në përzierjen e saj të energjisë elektrike pasi Evropa prodhoi më shumë energji elektrike nga dielli sesa qymyri në vitin 2024, treguan të dhënat e “Rishikimit të Energjisë Elektrike në Evropë 2025” nga Ember, organizatë që merret me studime mbi energjinë dhe promovon tranzicionin në energjinë e pastër.

Përqindja e energjisë diellore në energjinë elektrike të BE-së u regjistrua më e lartë se qymyri, i cili qëndron vetëm në 10 për qind, ndërsa energjia nga gazi fosil në BE gjithashtu ka rënë për të pestin vit radhazi.

Studimi, i cili është raporti i nëntë vjetor mbi sektorin e energjisë të BE-së i publikuar nga grupi me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, tregoi se 69 miliardë euro janë shmangur nga kostot e importit të karburanteve fosile për shkak të energjisë së re të erës dhe asaj diellore që nga viti 2019.

Raporti vuri në dukje se tranzicioni i sektorit të energjisë elektrike të BE-së mbajti vrull në vitin 2024, pavarësisht kushteve sfiduese politike dhe ekonomike.

“Një vit tjetër rënieje të qymyrit dhe gazit”, tha raporti, duke përmendur se kjo gjë ka ulur emetimet e sektorit të energjisë në BE nën gjysmën e pikut të tyre në vitin 2007 dhe ka reduktuar më tej varësinë nga karburantet fosile të importuara.

“Progres i rëndësishëm është bërë gjatë ciklit të fundit politik të BE-së, por ofrimi (i energjisë së pastër) duhet të përshpejtohet”, ka theksuar studiuesit.

Ndërkohë, e nxitur nga zgjerimi i energjisë së erës dhe diellit, energjia e rinovueshme është rritur nga një pjesë prej 34 për qind në vitin 2019 në 47 për qind në 2024, pasi pjesa e fosileve ka rënë nga 39 për qind në nivelin më të ulët historik, 29 për qind.

Në raport thuhet energjia diellore mbeti burimi i energjisë me rritje më të shpejtë në BE në vitin 2024, ndërsa energjia e erës burimi i dytë më i madh, mbi gazin dhe nën energjinë bërthamore.

Megjithatë, raporti paralajmëroi se nevojitet një përshpejtim nga tani deri në vitin 2030, duke sugjeruar se BE-ja ka “shumë për të fituar” nga përshpejtimi i tranzicionit të saj drejt energjisë elektrike nga era dhe dielli.

Përshpejtimi i tranzicionit të gjelbër në energjinë elektrike do të rrisë gjithashtu sigurinë e energjisë dhe do të ulë kostot e energjisë për të gjithë konsumatorët në gjithë bllokun, thuhet më tej.

“Lëndët djegëse fosile po humbasin kontrollin e tyre mbi energjinë e BE-së”, ka thënë Chris Rosslowe, analist i lartë në fushën e energjisë në Ember, duke theksuar se në fillimin e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane në vitin 2019, pakkush mendonte se tranzicioni energjetik i BE-së mund të ishte aty ku është sot.

“Ndërsa tranzicioni i energjisë elektrike në BE ka ecur më shpejt nga sesa pritej në pesë vitet e fundit, përparimi i mëtejshëm nuk duhet shpërfillur”, ka vënë në dukje ai.

“Arritjet e pesë viteve të fundit duhet të ushqejnë besimin se, me përpjekje dhe përkushtim të vazhdueshëm, sfidat mund të kapërcehen dhe të arrihet një e ardhme më e sigurt energjetike”, ka thënë eksperti i energjisë.

/Anadolu/Motilokal.com