Media italiane pas marrëveshjes Rama-Meloni: Shqipëria, mundësia për centralin bërthamor pas kabujve nënujorë?

Media italiane pas marrëveshjes Rama-Meloni: Shqipëria, mundësia për centralin bërthamor pas kabujve nënujorë?

Po sikur në Shqipëri të ndërtohej një central bërthamor për Italinë? Ideja vërtitet në mediat italiane pas marrëveshjes që Rama dhe Meloni nënshkruan në Abu Dhabi, për kabuj nënujorë që do të përcjellin rrymën nga vendi jonë drejt Italisë, një investim nënujor gati një miliard euro, në një kohë që Shqipëria ende nuk përmbush dot nevojat e saj me energji. Dhe nën rrogoz mund të fshihet një projekt akoma më i rëndësishëm se sa thjesht kabujt që kalojnë nën Adriatik.

Është Staffeta Online, një faqe lajmesh në Itali që spekuloi e para, mbi shanset për ndërtimin e një reaktori bërthamor për Italinë në territor shqiptar. Në Itali, po diskutohet që tani për një projekligj që rikthen projektet e prodhimit të energjisë nukleare. Dokumenti është në tryezën e kryeministres Giorgia Meloni dhe shumë shpejt, gati dy javë duhet marrë një vendim.

Kjo nuk është hera e parë që përflitet një gjë e tillë. Edhe në vitin 2023, kur u arrit pakti për refugjatët, u fol dhe për ndërtimin e një centrali bërthamor.

Në atë kohë mediat shkruanin se flitej për një central bërthamor me kapacitet 1.500 Megavat, një investim 4 miliardë euro.

"Takimi mes kryeministres Giorgia Meloni dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama vijon të flasë. Dhe jo vetëm për miqësinë historike mes të dyve, por për dosjet (të shumta) të hedhura në tryezë gjatë takimit të tyre: turizmi dhe energjia janë dy fjalë kyçe. Dhe pikërisht rreth kësaj të fundit po bëhen gjithnjë e më këmbëngulëse zërat për një “kthim” të energjisë bërthamore në Shqipëri, me hipotezën e ndërtimit të një impianti në bashkëpunim me Italinë", shkruanin mediat italiane në atë kohë.

“Nuk është për t’u habitur që faqja e internetit e energjisë Staffetta Quotidiana ka spekuluar se impiantet e reja mund të ndërtohen në Shqipëri dhe të lidhen me Italinë me një kabllo nënujore” shkruan ANSA.

Nuk është për t’u habitur as pse Shqipëria tashmë po shihet nga liderët perëndimorë si një lloj koshi ku mund të depozitohen ndotjet dhe problemet e qeverive të tyre, për të cilat institucionet në vendet demokratike refuzojnë të binden, siç ishte rasti i ngritjes së burgjeve për afrikanët.

Diferenca është se në vendet europiane vota, protestat dhe referendumet ende mbeten një mjet real në duart e qytetarëve. Kurse në Shqipëri mjafton fjala e Edi Ramës, e sheqerosur me pak propagandë dhe këtu ndërtohen burgje, mbyllen rrjete sociale apo jepen falas plazhe dhe ishuj pa u ndjerë askush.

Të shohim nëse këtë herë do të mbetet po në vazhdën e hipotezave, apo Rama-Meloni do të thellojnë më tej aleancën mes tyre.

/Motilokal.com