Gjatë një udhëtimi me aeroplan, shumë shpesh ndodh që të ndjeni një ndjesi të bezdisshme në veshë, si rënie të dëgjimit, pak dhimbje ose parehati. Kjo ndjesi, e njohur si dhimbja e veshit nga aeroplani (barotrauma), mund të zgjasë edhe disa orë pas uljes. Por çfarë mund të bëhet për ta shmangur ose lehtësuar këtë shqetësim?
Sipas dr. Stefano Miceli, otolaringolog, ky problem shkaktohet nga një çekuilibër në presionin e ajrit midis veshit të mesëm dhe mjedisit përreth. Ky fenomen ndodh shpesh gjatë uljes së aeroplanit, sidomos nëse kabina nuk është mirë e presionuar ose nëse personi ka bllokime nga një të ftohtë i lehtë. Gjatë uljes, presioni në kabinën e aeroplanit rritet me shpejtësi, ndërsa tubat e Eustachit, kanalet që lidhin veshin e mesëm me nazofaringun, nuk arrijnë ta barazojnë presionin mjaftueshëm shpejt. Kjo gjeneron një presion negativ në zgavrën timpanike, duke shkaktuar tërheqje të membranës timpanike dhe dhimbje.
Çfarë mund të bëni për ta parandaluar?
Dr. Miceli sugjeron disa masa praktike:
Përtypni çamçakëz – Kjo ndihmon hapjen dhe mbylljen e tubave të Eustachit, duke barazuar presionin mes veshit të mesëm dhe mjedisit të jashtëm.
Merrni një ilaç kundër dhimbjes – Nëse jeni të ftohur, mund të përdorni paracetamol para ose menjëherë pas uljes për të reduktuar bezdinë dhe për të përshpejtuar normalizimin e presionit.
Pritni me durim – Në shumicën e rasteve, shqetësimi kalon brenda disa orësh, sapo presioni të stabilizohet natyrshëm.
Pse përtypja është e dobishme?
“Përtypja stimulon tkurrjen e muskujve të përtypjes, duke ndihmuar hapjen dhe mbylljen e tubit të Eustachit. Kjo lejon kalimin e ajrit në veshin e mesëm dhe barazimin e presionit”, shpjegon dr. Miceli.
A duhet të shqetësoheni nëse keni probleme të tilla? Sipas specialistit, nuk ka arsye për shqetësim të veçantë. “Mjafton të ndiqni këto masa të thjeshta dhe të prisni zgjidhjen natyrale të fenomenit, që zakonisht ndodh brenda pak orësh”, përfundon ai.
/Motilokal.com
