Gjumi me çorape shpesh shkakton debate. Disa e preferojnë, veçanërisht gjatë dimrit, ndërsa për të tjerë, ideja e tij shkakton shqetësim. Por a ka ndonjë përfitim konkret për të fjetur me çorape, përveç ngrohjes së këmbëve? Në fakt, po.
Ekspertët tregojnë se gjumi me çorape mund të përmirësojë qarkullimin, të ndihmojë në ruajtjen e temperaturës trupore dhe të përmirësojë cilësinë e gjumit. Dr. Neal H. Patel shpjegon se gjatë gjumit, temperatura e trupit zvogëlohet natyrshëm. Ngrohja e këmbëve ndihmon trupin të ftohet përmes zgjerimit të enëve të gjakut (vazodilimit), duke lehtësuar kalimin në fazat më të thella të gjumit.
Sipas dr. Aleks Dimitri, kjo rënie e temperaturës trupore është thelbësore për një gjumë cilësor. Madje, disa studime sugjerojnë se gjumi me çorape mund të ndikojë pozitivisht edhe në jetën seksuale.
A ka rreziqe për të fjetur me çorape?
Megjithëse gjumi me çorape sjell përfitime, ai nuk rekomandohet për të gjithë. Personat me diabet, infeksione të këmbëve, temperaturë ose probleme me thonjtë e këmbëve duhet të konsultohen me një mjek përpara se të përdorin çorape gjatë gjumit, paralajmëron dr. Patel.
Gjithashtu, çorapet shumë të ngushta mund të pengojnë qarkullimin, ndërsa materialet jo të përshtatshme mund të shkaktojnë djersitje të tepërt ose acarim të lëkurës. Për një gjumë të rehatshëm, zgjidhni çorape të buta, të bëra nga materiale natyrore, dhe sigurohuni që ato të mos jenë shumë të ngushta. Çorapet e kompresimit nuk rekomandohen, përveçse me përshkrim mjekësor.
Gjumi me çorape, kur bëhet si duhet, mund të jetë një mënyrë e thjeshtë për të përmirësuar cilësinë e jetës suaj.
/Motilokal.com
