A ju ka ndodhur ndonjëherë të gogësini pasi keni parë dikë tjetër të bëjë të njëjtën gjë? Mund të duket çuditshëm, por kjo është një dukuri plotësisht normale dhe vërtet ngjitëse.
Sipas Reyan Saghir, gogësija është një veprim i pavullnetshëm që përfshin hapjen e gjerë të gojës, zgjerimin e nofullës, një thithje të thellë dhe një nxjerrje të ngadaltë të ajrit.
"Zakonisht shfaqet kur jeni të lodhur ose të mërzitur. Megjithatë, shkenca që qëndron pas këtij fenomeni të përditshëm nuk është ende plotësisht e kuptuar", shpjegon Saghir.
Pse gogësija është ngjitëse?
Një nga teoritë kryesore lidhet me ndjeshmërinë dhe lidhjet sociale. "Ndërsa rritemi dhe zhvillojmë aftësitë tona psikosociale dhe neurologjike, ne i perceptojmë gogësimat e të tjerëve si një sinjal që na nxit të bëjmë të njëjtën gjë", thotë Saghir.
Kjo ndjeshmëri ndodh si rezultat i neuroneve pasqyrë, qeliza trunore që aktivizohen kur shohim dikë tjetër duke bërë një veprim. Këto neurone ndihmojnë në pasqyrimin e sjelljeve, duke përfshirë edhe gogësimat.
Interesante është fakti që gogësija është ngjitëse vetëm tek individët me një tru të zhvilluar plotësisht. Fëmijët dhe ata që kanë mangësi në zhvillimin mendor nuk e përjetojnë këtë efekt ngjitës.
Një refleks që lidhet me marrëdhëniet sociale
Sipas dr. Saghir, ne kemi më shumë gjasa të gogësijmë kur jemi pranë njerëzve që njohim dhe ndajmë lidhje emocionale. Ndërsa për të huajt, ky refleks mund të mos jetë aq i theksuar.
Pavarësisht hulumtimeve, shkenca ende po përpiqet të shpjegojë plotësisht këtë fenomen. Megjithatë, një gjë është e sigurt: gogësija është një refleks i pashmangshëm dhe një shembull i veçantë i ndërveprimit tonë social dhe neurologjik.
/Motilokal.com
