Në një kohë kur Evropa po kalonte periudhën e errët të Mesjetës, bota islame përjetonte një epokë të artë të dijes dhe zbulimeve shkencore. Një ndër figurat më të shquara të kësaj periudhe ishte Ebu Rayhan Biruni (973–1048), një dijetar i jashtëzakonshëm, i cili kontribuoi në formësimin e shumë disiplinave shkencore. Nga hipoteza e tij mbi rrotullimin e Tokës deri te matjet e sakta të diametrit të saj, puna e tij shërbeu si një urë lidhëse mes trashëgimisë antike dhe inovacioneve të mëvonshme, duke ndikuar madje edhe në epokën e Rilindjes Evropiane.
Ebu Rayhan Biruni lindi në Khwarezm, në veri-perëndim të Uzbekistanit të sotëm, dhe ishte një njeri me njohuri të jashtëzakonshme, deri në atë masë sa që një qytet i sotëm mban emrin e tij, Beruniy. Ai ishte një poliglot, duke zotëruar gjuhët arabe, greke, persiane dhe sanskrite, gjë që i dha mundësinë të përvetësonte dijet e qytetërimeve të ndryshme të antikitetit. Puna e tij ishte tepër e gjerë dhe përfshinte alkiminë, astronominë, gjeografinë, gjeologjinë, filozofinë islame dhe teologjinë.
Një ndër kontributet më të mëdha të Birunit ishte në fushën e astronomisë. Ai ishte një ndër të parët që bëri llogaritjet e rrezes dhe rrotullimit të Tokës dhe zhvilloi një kuadrant të përmirësuar për matjen e lartësisë së Diellit. Po ashtu, ai zhvilloi një metodë për të përcaktuar densitetin e substancave përmes raportit mes masës dhe volumit. Këto zbulime shërbyen si bazë për punën e dijetarëve të mëvonshëm, si Galileo Galilei dhe Isaac Newton.
Puna e tij gjithashtu frymëzoi astronomin Richard Dunthorne, i cili përdori studimet e fazave të Hënës dhe të dhënat mbi ekuinokset dhe eklipset për të përcaktuar përshpejtimin e Hënës, një kontribut që shërbeu si pikënisje për brezat e ardhshëm të hulumtuesve.
Biruni ishte gjithashtu një pionier i studimeve indologjike. Ai shërbeu si astrolog në oborrin e Mahmud Ghaznit, sulltanit të Perandorisë Ghaznavide. Gjatë ekspeditave të tij në Indi, ai regjistroi vëzhgimet e tij për këtë vend të panjohur dhe misterioz, duke krijuar një nga veprat e tij më të rëndësishme, një punim enciklopedik që përbën një pasuri të madhe të njohurive mbi kulturën indiane.
Ndonëse në “historinë zyrtare” për shekuj me radhë thuhet se Kristofor Kolombo ishte personi i parë që zbuloi Amerikën, në mediat botërore qarkullon një artikull i cili pretendon se dijetari mysliman aziatik, Ebu Rayhan Biruni, zbuloi shekuj më parë kontinentin, para se Kolombo ta ketë bërë një gjë të tillë.
Edhe pse Al-Biruni, i cili bëri deklaratën në fillim të shekullit të njëmbëdhjetë, asnjëherë vetë nuk kishte “hedhur sytë” mbi Amerikën e sotme, ekspertiza e tij në gjeografi dhe hartë e çoi atë në përfundimin se bota e njohur, e cila u shtri nga brigjet perëndimore të Evropës dhe Afrikës në brigjet lindore të Azisë, llogaritet vetëm për dy të pestat e botës.
Njohuritë e tij rreth gjuhëve të Lindjes së Mesme dhe Indisë, si dhe njohuritë e tija në matematikë, astronomi, mineralogji, gjeografi, kartografi, gjeometri dhe trigonometri, të marra nga dijetari Ahmad al-Farghani, i dhanë atij njohuri të thella rreth shkencave të fushave të ndryshme dhe civilizimeve.
Gjatë jetës së tij, Biruni krijoi një sërë veprash të tjera, përfshirë “Kronologjinë e Kombeve të Lashta”, një përmbledhje universale e kulturave të ndryshme dhe një dëshmi e interesit të thellë të tij për njerëzit dhe vendet rreth tij. Trashëgimia e tij shkencore është e gjerë dhe vazhdon të influencojë deri në ditët e sotme.
Emri i Al-Birunit mbetet sinonim i mençurisë, kërkimit të dijes dhe frymëzimit, duke motivuar brezat e ardhshëm të kërkojnë të vërtetën dhe të bëjnë zbulime të reja shkencore. Ai ka qenë një burim frymëzimi për shkencëtarë dhe matematikanë për më shumë se një mijë vjet, dhe ndikimi i tij është ende i pranishëm sot. Përveçse ka një qytet me emrin e tij, tani Al-Biruni ka edhe një çmim të dedikuar për trashëgiminë e tij.
Në sesionin e 220-të të Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s, që u mbajt në tetor 2024, u njoftua se Çmimi Ndërkombëtar UNESCO-Uzbekistan do të mbajë emrin e Al-Birunit, në nderim të arritjeve të tij shkencore. Ky çmim do të jepet çdo dy vjet dhe do të nderojë projekte të jashtëzakonshme që avancojnë etikën, përfshirjen dhe zhvillimin në fushën e Inteligjencës Artificiale.
/Motilokal.com
