Hyundai dëshiron të dyfishojë shitjet e veturave elektrike në Evropë

Hyundai dëshiron të dyfishojë shitjet e veturave elektrike në Evropë

Gjiganti korean i automjeteve dëshiron të dyfishojë shitjet e veturave elektrike në tregun evropian këtë vit. Arsyeja kryesore për këtë është shmangia e ndëshkimeve për mosrespektimin e rregullave të reja të emetimit të CO2.

Duke filluar nga ky vit, Bashkimi Evropian do të vendosë rregulla më të rrepta për emetimet e CO2. Këto rregulla janë kritikuar nga shumica e prodhuesve, pasi ekziston rreziku që ata të detyrohen të paguajnë gjoba të mëdha, të matura në miliarda euro.

Për shkak të kësaj, disa prodhues janë duke kërkuar zgjidhje për të shmangur penalitetet, dhe një nga zgjidhjet e propozuara është rritja e shitjeve të veturave elektrike. Kjo është rruga dhe qasja e qartë që Hyundai po ndjek.

Marka aziatike dëshiron të dyfishojë shitjet e veturave elektrike në Evropë këtë vit, tha Haesung Park, shefi financiar i Hyundai Europe.

"Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të përmbushur objektivat e emetimeve," tha ai. “Për ta bërë këtë, ne duam të dyfishojmë shitjet e veturave elektrike këtë vit”, shtoi Park.

Vitin e kaluar, Hyundai shiti 68,279 veturë elektrike në Evropë, 15 për qind më pak se në vitin 2023, raporton Automotive News Europe. Këto vetura përbënin 11 për qind të shitjeve të Hyundai në tregun evropian në vitin 2024, krahasuar me 15 për qind në 2023.

Modeli elektrik më i shitur ishte Hyundai Kona, me 36,526 njësi të shitura. Ky model u pasua nga Ioniq 5, me 22,830 njësi të shitura dhe Ioniq 6 me 8,731 njësi të dorëzuara.

/Motilokal.com