Mediat kineze raportuan se astronautët kinezë në stacionin e tyre hapësinor Tiangong arritën të prodhonin karburant raketash përmes një procesi që ata e quajtën "fotosintezë artificiale".
Sipas South China Morning Post, astronautët arritën të prodhonin përbërësit e nevojshëm për karburantin e raketës, si dhe oksigjenin, një element që është veçanërisht i rëndësishëm në hapësirë.
Edhe pse nuk ka shumë detaje rreth vetë procesit, raportet e mediave sugjerojnë se astronautët përdorën katalizatorë gjysmëpërçues për të kthyer dioksidin e karbonit dhe ujin në oksigjen dhe etilen.
Kjo teknologji imiton procesin natyror të fotosintezës përmes metodave fizike dhe kimike, duke përdorur burime të dioksidit të karbonit në hapësira të kufizuara ose atmosfera jashtëtokësore, për të prodhuar oksigjen dhe lëndë djegëse me bazë karboni, raportoi transmetuesi shtetëror CCTV.
Ata gjithashtu deklarojnë se rezultatet e eksperimenteve të kryera në Tiangong mund të ofrojnë informacione dhe teknika kyçe të rëndësishme për mbijetesën e njeriut dhe eksplorimin e hapësirës. Kryesisht sepse, me sa duket, ato mund të sigurojnë një burim oksigjeni për frymëmarrje dhe karburant raketash për të udhëtuar nëpër hapësirë.
Ideja e përdorimit të katalizatorëve gjysmëpërçues ndryshon nga teknikat e mëparshme për prodhimin e oksigjenit, siç është elektroliza. Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh se përdorimi i elektrolizës kërkon shumë energji për t'u përdorur në fluturimet me distanca të gjata. Por shkencëtarët kinezë shpresojnë se përdorimi i një katalizatori gjysmëpërçues mund të jetë një alternativë e pranueshme.
Sidomos pasi Kina planifikon të ndërtojë stacionin e saj në polin jugor të Hënës deri në vitin 2035. Sigurimi i teknologjisë për prodhimin e oksigjenit në vetë Hënën, si dhe prodhimi i karburantit të raketave për kthim në Tokë ose eksplorimin e planetëve të tjerë në afërsi, mund të jetë vendimtar për avancimin e tyre në garën hapësinore.
/Motilokal.com
