Prishtina shpall gjendjen e jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave

Prishtina shpall gjendjen e jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, në një konferencë për media kanë shprehur shqetësimin për situatën e krijuar në menaxhimin e mbeturinave, duke njoftuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Sipas tyre, ky vendim vjen si pasojë e vështirësive që po përballet ndërmarrja “Pastrimi”, e cila, për shkak të mungesës së mekanizmit të nevojshëm, nuk ka arritur të përmbushë detyrimet kontraktuale. Pavarësisht blerjes së kamionëve të rinj dhe 2,500 kontejnerëve, të cilët ende nuk janë shpërndarë, situata në terren vazhdon të jetë alarmante, me rrezik të madh për përhapjen e epidemive.

Në vitin 2024, pas masave emergjente për përmirësimin e shërbimit, përfshirja e operatorëve privatë dhe furnizimi me kontejnerë të rinj kishin sjellë përmirësime të dukshme. Megjithatë, një ndryshim i rregullores për menaxhimin e mbeturinave, i iniciuar nga asamblisti i PDK-së, Leotrim Retkoceri, dhe i mbështetur nga Vetëvendosje, ia dha ndërmarrjes “Pastrimi” të drejtën ekskluzive për këtë shërbim, duke përjashtuar operatorët privatë.

Sipas Drejtorisë së Shërbimeve Publike, ky ndryshim ka krijuar një monopol që ka rezultuar në mungesë të shërbimit bazik për qytetarët. Ankesat për grumbullimin e mbeturinave janë shtuar ndjeshëm, veçanërisht për sistemin "derë më derë", ku mbeturinat kanë mbetur të pambledhura për javë të tëra.

Në përgjigje të kësaj situate, komuna ka ndërmarrë hapa urgjentë, duke iniciuar prokurimin e pesë operatorëve privatë për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave, si dhe duke ndarë Prishtinën në gjashtë zona për një menaxhim më efikas.

“Kemi një krizë që rrezikon shëndetin publik dhe mirëqenien e qytetarëve. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme është e domosdoshme për të vënë situatën nën kontroll dhe për të garantuar pastërtinë e kryeqytetit", deklaroi kryetari Rama.

Komuna e Prishtinës pritet të ndërmarrë masa të menjëhershme për të rikthyer normalitetin dhe për të siguruar një mjedis të pastër për të gjithë qytetarët.

/Motilokal.com