Santorini nën alarmin sizmik

Santorini nën alarmin sizmik

Aktiviteti sizmik që nisi të shtunën vazhdon ende në zonën detare midis ishujve Santorini dhe Amorgos.

Një tërmet me magnitudë 4.6 të shkallës Rihter u regjistrua dje në orën 19:44 nga rrjeti sizmologjik i Observatorit Kombëtar të Athinës, 233 kilometra në juglindje të Athinës, me epiqendër në det, pranë Amorgos.

Më herët, të paktën gjashtë lëkundje mbi magnitudën 4,0 u regjistruan midis orës 09:36 dhe 11:29 të së hënës, me më të madhin prej 4.9 Rihter në orën 11:29, me epiqendër 25 kilometra në jugperëndim të Amorgos. Po ashtu, një tjetër tërmet me magnitudë 4.9 Rihter u regjistrua në orën 14:17, me epiqendër 18 kilometra në jug jugperëndim të Arkesinit, Amorgos.

Sipas Athanasios Ganas, drejtor i Kërkimeve në Institutin Gjeodinamik të Observatorit Kombëtar të Athinës, kjo sekuencë sizmike ka një origjinë tektonike dhe lidhet me aktivitetin vullkanik, i cili nisi më 2 gusht 2024 me një zgjerim të ngadaltë të vullkanit. Ai konfirmoi se kompleksi vullkanik Thera-Kolumbo është nën monitorim të vazhdueshëm për të gjitha skenarët e mundshëm.

Për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm sizmik, shkollat në Santorini, Anafi, Ios dhe Amorgos do të qëndrojnë të mbyllura deri të premten. Komitetet e monitorimit raportuan se aktiviteti sizmik në afërsi të ishullit Anydros ka qenë veçanërisht intensiv, me mbi 200 tërmete mbi magnitudën 3,0 të shkallës Rihter që nga e shtuna, 1 shkurt.

Ndërkohë, linja ajrore "SKY Express" ka shtuar fluturimet për dhe nga Santorini më 3 dhe 4 shkurt për të lehtësuar transportin e njerëzve. Kompania e trageteve "Attica Group" gjithashtu ka shtuar një udhëtim shtesë nga Santorini dhe po shqyrton mundësinë e ndryshimeve të mëtejshme në itineraret e saj për të forcuar lidhjet me Pireun.

/Motilokal.com