Energjia gjeotermale, pasuria e fshehur e Shqipërisë – A do të shfrytëzohet më në fund?

Energjia gjeotermale, pasuria e fshehur e Shqipërisë – A do të shfrytëzohet më në fund?

Shqipëria ka një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e energjisë gjeotermale. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) ka publikuar një manual ku identifikohen zonat me mundësi shfrytëzimi për prodhimin e energjisë elektrike nga ky burim i rinovueshëm.

Sipas dokumentit, ujërat termale në llixhat shqiptare aktualisht përdoren kryesisht për qëllime kurative, ndërsa potenciali i tyre për prodhimin e energjisë ende mbetet i pashfrytëzuar.

Vlerësimet eksperimentale energjetike për katër burimet më të mëdha, Llixhat e Elbasanit, të Peshkopisë, pusin Kozani 8 dhe Ishmi 1/b, tregojnë se prurja e përgjithshme e ujit termal arrin në 44.8 l/sek, me një kapacitet të energjisë gjeotermale prej 6.64 MWt dhe një fuqi të mundshme të instaluar prej 7084 kW.

“Këto të dhëna janë premtuese për zhvillimin e projekteve energjetike që do të shfrytëzojnë këtë burim të rinovueshëm,” thuhet në dokumentin e AKBN. Gjithashtu, theksohet se burimet termale dhe puset e thella të kërkimit të naftës dhe gazit në Shqipëri janë të lokalizuara kryesisht në tre zona: Kruja, Ardenica dhe Peshkopia.

Zona gjeotermale e Krujës është më e madhja, me një gjatësi prej rreth 180 km dhe gjerësi 4-5 km. Ajo shtrihet nga bregdeti i Adriatikut, në veri të Kepit të Rodonit, dhe vazhdon përmes strukturave të Ishmit, Kozanit, Llixhave të Elbasanit, Holtës në Gramsh, Bënjës në Përmet, avullit në malin e Postenanit në Leskovik dhe lumit të Sarandaporos, afër kufirit shqiptaro-grek.

Zona gjeotermale e Ardenicës ndodhet në rajonin e Myzeqesë, ndërsa ajo e Peshkopisë shtrihet në verilindje të vendit, dy kilometra në lindje të Peshkopisë, pranë përroit të Banjës, ku ndodhen katër burime të afërta me njëra-tjetrën.

/Motilokal.com

Foto: Fation Plaku