Shumë nga ndotësit më të mëdhenj të botës nuk arritën të përmbushin një afat kohor të Kombeve të Bashkuara të hënën për të paraqitur objektivat e tyre klimatike, pasi përpjekjet për të frenuar ngrohjen globale kërcënohen nga zgjedhja e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Gati 200 vende që nënshkruan Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike u përballën me një afat të hënën për të dorëzuar planet e tyre të reja klimatike në OKB, duke përshkruar se si synojnë të reduktojnë emetimet deri në vitin 2035.
Shumë nga ndotësit më të mëdhenj të botës, përfshirë Kinën, Indinë dhe Bashkimin Evropian, nuk e kishin bërë këtë deri të hënën në mëngjes.
"Publiku ka të drejtë të presë një përgjigje të fortë nga qeveritë e tyre për faktin se ngrohja globale ka arritur tani 1.5 gradë Celsius për të gjithë vitin, por në fakt ne nuk kemi parë ndonjë (veprim) të vërtetë", tha Bill Hare, kreu i institutit të politikave publike Climate Analytics.
Marrëveshja e Parisit e vitit 2015 për ndryshimet klimatike kërkon që vendet të përpiqen të shmangin ngrohjen globale që tejkalon 1.5 gradë Celsius mbi mesataren para-industriale.
Veprimet e deritanishme nuk kanë pasur sukses në reduktimin e mjaftueshëm të emetimeve për ta arritur këtë.
Vitin e kaluar, temperaturat mesatare globale ishin më shumë se 1.5 gradë Celsius mbi periudhën 1850-1900 për herë të parë.
Ekonomitë kryesore që kanë njoftuar plane të reja klimatike përfshijnë Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Brazilin, Japoninë dhe Kanadanë, por Trump pritet të heqë dorë nga kontributet nga administrata e presidentit të mëparshëm Joe Biden.
Trump muajin e kaluar urdhëroi tërheqjen e SHBA nga Marrëveshja e Parisit dhe ngriu disa fonde federale për energjinë e pastër.
Shefi i klimës i OKB-së Simon Stiell tha javën e kaluar se shumica e vendeve kishin treguar se do të hartonin planet e tyre gjithsesi këtë vit.
Vendet po e marrin këtë jashtëzakonisht seriozisht, gjë që nuk është befasuese duke pasur parasysh se këto plane do të jenë kyçe për sasinë e (fondeve) që qeveritë mund të sigurojnë nga bumi (ekonomik) prej 2 trilion dollarësh, tha Stiell, duke iu referuar 2 trilion dollarëve në investimet globale në energjinë e pastër dhe infrastrukturën vitin e kaluar.
Pra, ka kuptim të marrësh pak më shumë kohë për të siguruar që këto plane të jenë të klasit të parë, shtoi ai.
Por humbja e afatit po ngre shqetësime se veprimi i klimës ka rënë në listën e prioriteteve të qeverisë, me disa zyrtarë që sugjerojnë se ndryshimi i SHBA në politikën klimatike po pengon përpjekjet e vendeve të tjera.
Komisioneri i Komisionit Evropian për Klimën, Wopke Hoekstra i tha Reuters muajin e kaluar se cikli i politikëbërjes së BE-së nuk kishte përkuar me afatin e OKB-së, por se Brukseli do të përgatiste planin e tij për samitin e klimës COP30 të OKB-së në nëntor.
India nuk ka përfunduar ende studimet e nevojshme për të hartuar planin e saj të klimës, tha një zyrtar qeveritar për Reuters.
Kina do të publikojë planin e saj të klimës "në kohën e duhur", tha të hënën një zëdhënës i ministrisë së jashtme.
Një zëdhënës i Ministrisë së Mjedisit në Indonezi tha se ministria ishte në pritje të udhëzimeve nga zyra e presidentit për paraqitjen e objektivave të saj klimatike.
Qeveritë e Iranit, Rusisë dhe Afrikës së Jugut nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
/Motilokal.com
