Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë 2025, Kumbaro: Rritje e konsiderueshme me 13 mijë individë më shumë

Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë 2025, Kumbaro: Rritje e konsiderueshme me 13 mijë individë më shumë

Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë për vitin 2025 ka prodhuar rezultate jashtëzakonisht pozitive, me 13,000 individë më shumë dhe 5 specie më shumë krahasuar me censin e vitit 2024.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, përmes një postimi në rrjetet sociale, tha: “Rritja e numrit të shpendëve ujorë dimëruese vit pas viti është një tregues i krijimit të kushteve më të favorshme për shtimin e tyre, duke forcuar ekosistemet natyrore dhe duke ruajtur ekuilibrat ekologjikë të vendit.”

Ajo shtoi se procesi u realizua nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe specialistë të Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura, ekspertë ornitologë dhe vullnetarë, të cilët u angazhuan në 34 pika të përcaktuara për numërimin e shpendëve, duke realizuar një studim të jashtëzakonshëm.


Sipas të dhënave të censit, dy zonat më të rëndësishme për numrin e shpendëve ujorë janë: Divjakë-Karavasta me 26,533 individë dhe Liqeni i Shkodrës me 23,899 individë. Për sa i përket numrit të specieve, dy zonat më të rëndësishme janë: Divjakë-Karavasta me 46 specie dhe Vjosë-Nartë me 39 specie.

Më 18-19 janar, 120 specialistë nga 12 Administrata të Zonave të Mbrojtura dhe ekspertët zhvilluan një monitorim të detajuar të popullatave të shpendëve, duke siguruar një vlerësim të plotë të tyre.

Censi i Shpendëve Ujorë Dimërues është një aktivitet shkencor që ka ndikim të drejtpërdrejtë në menaxhimin e qëndrueshëm të habitateve natyrore dhe kontribuon në ruajtjen e biodiversitetit të pasur të Shqipërisë.

/Motilokal.com