Kosova ka marrë pjesë e një prej forumeve më të rëndësishme globale për teknologjinë dhe Inteligjencën Artificiale, ku liderë dhe ekspertë nga mbarë bota u takuan në Paris për të diskutuar zgjidhje inovative që pritet të ndryshojnë të ardhmen.
Në këtë samit, Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani, e cila theksoi rëndësinë e përfshirjes së vendit në zhvillimet teknologjike globale.
“Kosova në hartën globale të diskutimeve për Inteligjencën Artificiale. Liderë dhe ekspertë nga e gjithë bota u mblodhën në Paris për të diskutuar zgjidhje që do të transformojnë botën, duke vënë teknologjinë në shërbim të njerëzimit”, ka shkruar Osmani.
Ajo nënvizoi se teknologjia po udhëheq një revolucion të madh global dhe se Kosova duhet të jetë e gatshme të përfshihet në këtë transformim.
“Teknologjia po i prinë një revolucioni të paparë global dhe Kosova duhet të jetë pjesë e këtij ndryshimi”, u shpreh Osmani, duke shtuar se vendi duhet të shfrytëzojë mundësitë që sjell ky zhvillim për të përmirësuar jetën e qytetarëve.
/Motilokal.com
