Edhe pse u duk që dimrit i erdhi fundi nuk është pikërisht kështu. Që nga mbrëmë disa pjesë të Shqipërisë janë përfshirë nga një mot i ftohtë me reshje shiu dhe në zonat me lartësi mbi detare edhe reshje dëbore.
Zonat ku tashmë është rikthyer dimri janë Shkodra, Dibra dhe Kukësi.
Ndërsa në qarkun e Dibrës trashësia e dëborës ka arritur deri në 30 centimetër. Si pasojë e reshjeve të mëdha të dëborës në këtë zonë ka patur vështirësi në qarkullimin e veturave.
Ndërkaq në Kukës trashësia e borës ka arritur deri në 5 cm, ndërsa në zonat e larta malore mbi 20 cm.
Aktualisht, reshje bore ka dhe në Rrugën e Kombit, ku mjete borëpastruese po mbajnë situatën nën kontroll duke hedhur kripë për të mbajtur të hapura të dyja korsitë.
Dëbora ka rënë edhe në zonat e thella malore.
Reshje bore ka pasur edhe në Librazhd dhe në Korçë, por nuk raportohet për probleme në qarkullim.
Reshjet e borës në këtë periudhë të stinës ka sjellë dëme në bujqësi dhe pemëtari./Motilokal.com