Prishtina paralajmëron masa ndaj kompanisë “Pastrimi” për rrezikimin e shëndetit publik

Prishtina paralajmëron masa ndaj kompanisë “Pastrimi” për rrezikimin e shëndetit publik

Komuna e Prishtinës ka fajësuar sërish kompaninë “Pastrimi” për moskryerjen e obligimeve në grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, ka paralajmëruar për rrezikun e një epidemie si pasojë e situatës emergjente të krijuar nga grumbullimi i mbeturinave. Dhjetë ditë pas shpalljes së emergjencës, gjendja është përkeqësuar ndjeshëm, duke e lënë qytetin përballë një krize shëndetësore dhe ambientale.

"Pavarësisht përpjekjeve tona për të ndihmuar kompaninë 'Pastrimi' në menaxhimin e mbeturinave, kjo kompani ka dështuar në mënyrë dramatike. Sabotimet e paarsyeshme dhe lojërat politike kanë penguar çdo përpjekje për përmirësim të situatës", ka deklaruar Brestovci.

Sipas tij, kompania nuk ka shpërndarë kontejnerët e rinj dhe ka lënë jashtë funksionit kamionët e rinj që u janë dorëzuar, duke e përkeqësuar edhe më shumë situatën. Pas një inspektimi të detajuar nga Drejtoria për Shëndetësi, Siguri dhe Emergjenca, si dhe Inspekcioni, është konstatuar se qytetarët janë të ekspozuar ndaj një rreziku serioz për shëndetin publik.

Në këtë situatë kritike, Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar masa të menjëhershme dhe të ashpra ndaj kompanisë “Pastrimi” për dështimin e saj të vazhdueshëm dhe neglizhencën që ka vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve.

/Motilokal.com