Rajoni i Fierit për shkak të nivelit të lartë të rrezatimit diellor, ka marrë një zhvillim të madh sa i përket impianteve të prodhimit të energjisë diellore.
Kryeministri Edi Rama, u ndal në parkun “Blue 1”, për t’u njohur me ecurinë e impiantit, së bashku me zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila tha se investimi dhe për dy impiante të tjera, ka rritur prodhimin e energjisë diellore.
“5% të prodhimit të energjisë së vendit, një nga projektet më të mëdha të energjisë diellore”, tha zv/kryeministrja.
Sipas kryeministrit Rama synimi është që prodhimi i energjisë diellore në 2030 të arrijë në 30% dhe kjo gjë do t’i japë mundësinë Shqipërisë që të kthehet në eksportues neto të energjisë.
“Ndërkohë që ambicia jonë është të arrijmë 30% të prodhimit të përgjithshëm nga dielli në Shqipëri në 2030″, tha kryeministri Rama.
Kryeministri Rama ishte në një tjetër inspektim ku pa nga afër investimet në argjinaturën e lumit Seman, një investim që shtrihet në një gjatësi prej 7 km dhe siguron mbrojtjen e tokave bujqësore në bashkinë e Fierit.
/Motilokal.com
