Nga foshnjat tek të moshuari/at, çdo frymëmarrje në Kosovë është e rrezikuar. Niveli alarmant i ndotjes së ajrit në Kosovë ka arritur përmasa kritike, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin publik dhe të ardhmen mjedisore të vendit. Me një AQI prej 152 dhe përqendrime të grimcave PM2.5 që tejkalojnë disa herë standardet e OBSH-së, kërkohet veprim urgjent dhe i vendosur.
Kjo Deklaratë e Përbashkët është vetëm hapi i parë! Ne do të vazhdojmë të ngremë zërin derisa kërkesat tona, të formuluara në bashkëpunim me organizata nga shoqëria civile, të gjejnë zbatim.
Ndotja e ajrit nuk është thjesht një sfidë mjedisore, është një emergjencë kombëtare shëndetësore.
Është momenti për veprim efikas dhe të koordinuar për të mbrojtur të drejtën tonë për një jetë të shëndetshme.
Deklarata e plotë e disa organizatave për mbrojtjen e mjedisit:
Ndotja e ajrit në Kosovë ka arritur nivele kritike, duke përbërë një kërcënim serioz për shëndetin publik dhe mjedisin. Të dhënat më të fundit tregojnë se qytete si Prishtina po përballen me përqendrime alarmante të grimcave të imëta (PM2.5). Deri më 24 janar 2025, Indeksi i Cilësisë së Ajrit (AQI) në Prishtinë ka arritur në 152, duke e kategorizuar atë si "e pashëndetshme" me nivele PM2.5 prej 58 μg/m3 - shumë më të larta se kufiri i rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë prej 10 μg/m3.
Pasojat shëndetësore janë tejet shqetësuese, siç vlerëson raporti i Bankës Botërore nga janari 2020 - rreth 760 vdekje të parakohshme ndodhin çdo vit në Kosovë si pasojë e ndotjes së ajrit.
Shkaktarët kryesorë të kësaj krize përfshijnë termocentralet e vjetërsuara me qymyr, përdorimin masiv të lëndëve djegëse të ngurta për ngrohje dhe emetimet nga automjetet e vjetra. Këta faktorë jo vetëm që përkeqësojnë cilësinë e ajrit, por edhe pengojnë përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili kërkon standarde të rrepta mjedisore.
Sipas raporteve vjetore nga BankWatch, Kosova i ka tejkaluar kufijtë ligjorë të emetimeve për shtatë vite radhazi, veçanërisht për dioksidin e sulfurit (SO) dhe oksidet e azotit (NOx), në kundërshtim me National Emissions Ceilings (NEC). Termocentralet me qymyr në Kosovë, Kosova A dhe Kosova B, vazhdojnë të kontribuojnë ndjeshëm në ndotjen e ajrit, duke rrezikuar shëndetin publik dhe mjedisin.
Për të trajtuar këtë emergjencë të shëndetit publik, ne organizata partnere të shoqërisë civile në Kosovë kërkojmë veprime të menjëhershme dhe vendimtare: -
Ndërhyrje konkrete: Përshpejtimi i procesit të mbylljes së njësive më ndotëse të termocentralit Kosova A, duke vendosur një afat të qartë dhe të detajuar për mbylljen e plotë të tyre, ku sipas Strategjisë së Energjisë, masat e rinovimit të dy njësive të Kosovës A është dashur të përfundojnë më së largu në vitin 2024; shoqëruar me miratimin e një plani afatshkurtër për zëvendësimin e kapacitetit të Kosovës A me burime më të qëndrueshme energjie.
Monitorim dhe Raportim: Krijimi i një sistemi të centralizuar për inventarin e emetimeve, me raportim dhe monitorim vjetor të detyrueshëm, në përputhje me zotimin e Forumit të Gjelbër të parë, i cili nuk është arritur, dhe si objektiv specifik i Strategjisë për Ndryshime Klimatike për përmirësimin e transparencës dhe politikave klimatike.
Fushata Ndërgjegjësuese: Edukimi i qytetarë/eve mbi rreziqet shëndetësore të ndotjes së ajrit, integrimi i edukimit kritik mjedisor në kurrikulat shkollore dhe rritja e ndërgjegjësimit publik, duke inkurajuar pjesëmarrjen aktive të komunitetit në nisma për reduktimin e ndotjes dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Adresimi i varfërisë energjetike përmes politikave mbështetëse ndërsektoriale dhe investimeve në burime të pastra; teksa familjet me të ardhura të ulëta shpesh përdorin lëndë djegëse me ndotje të lartë (si qymyri dhe nafta), duke ekspozuar veçanërisht grupet e margjinalizuara, si fëmijët dhe të moshuari/at, ndaj rreziqeve shëndetësore.
Kalimi në Energjinë e Rinovueshme: Investime në burime të qëndrueshme energjie, si era dhe dielli, për të reduktuar varësinë nga qymyri, të shoqëruara me reforma për thjeshtimin dhe përshpejtimin e procesit të pajisjes me leje, duke mundësuar zhvillimin e sektorit të prosumers në përputhje me objektivat e tranzicionit energjetik dhe integrimin e tyre në tregun e energjisë.
Modernizimi i Infrastrukturës: Të reduktohet deri në ndalim tërësor përdorimi i thëngjillit për prodhimin e energjisë dhe ngrohjes, duke promovuar alternativa më të qëndrueshme dhe të shëndetshme. Gjithashtu, zbatimi rigoroz i akteve nënligjore mbi normat e lejuara të shkarkimeve atmosferike nga burimet e lëvizshme dhe të palëvizshme duhet të jetë prioritet, së bashku me kontrollin e detyrueshëm të emetimeve nga Qendrat e Kontrollit Teknik. Operatorët ndotës duhet të jenë të detyruar të respektojnë standardet mjedisore, ndërsa inspektimi në nivel qendror dhe lokal duhet të intensifikohet për të garantuar zbatimin efektiv të rregulloreve.
Të rishikohet çështja e automjeteve në qarkullim dhe shqyrtimi të bazohet në emetimin e gazrave, jo vetëm në kufizimin e importit. Ndërkohë, duhet trajtuar prania e mijëra automjeteve mbi 20-vjeçare që nuk përmbushin standardet mjedisore.
Paralelisht, është thelbësore të rritet përdorimi i transportit publik dhe të minimizohet përdorimi i automjeteve private në zonat urbane, me qëllim reduktimin e ndotjes. Përmirësimi i infrastrukturës duhet të përfshijë modernizimin dhe zgjerimin e transportit publik, duke integruar zonat e pa përfshira deri më tani, si dhe implementimin e zgjidhjeve efikase për reduktimin e emetimeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës. Koha për të vepruar është tani!
Trajtimi i ndotjes së ajrit nuk është vetëm një detyrim mjedisor, por një hap kritik për mbrojtjen e shëndetit të qytetarë/eve të Republikës së Kosovës dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme.

