Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) është në kontakt të vazhdueshëm me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve të Shqipërisë për të siguruar informacion të përditësuar mbi situatën zoonotike lidhur me praninë e gripit të shpendëve, nën tipi H5N1.
Sipas të dhënave të fundit, një fermë pranë Durrësit është identifikuar si e prekur nga kjo sëmundje. Në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, AUV ka ndërmarrë masa të menjëhershme të kontrollit kufitar. Inspektorët veterinarë në pikat kufitare janë urdhëruar të kryejnë kontrolle të detajuara mbi ngarkesat me produkte ushqimore me origjinë shtazore, si dhe mbi kafshët dhe shpendët e gjalla. Qëllimi është parandalimi i përhapjes së mundshme të sëmundjes në Kosovë.
“Për momentin, situata mbetet e kufizuar në një fermë të izoluar, ndërsa autoritetet shqiptare kanë marrë masa për izolimin e zonës dhe ndalimin e qarkullimit të brendshëm. Nuk është vlerësuar e nevojshme vendosja e masave kufizuese për importin, pasi Kosova nuk ka import të shpendëve të gjalla nga kjo zonë. Aktualisht, rreziku i përhapjes së gripit H5N1 përmes importit mbetet i ulët, por AUV mbetet në gatishmëri dhe do të përshtatë masat sipas zhvillimit të situatës”, thuhet në komunikatë.
AUV u bën thirrje fermerëve që mbajnë shpendë të zbatojnë menjëherë masat e biosigurisë në fermat e tyre për të parandaluar përhapjen e gripit të shpendëve. Përmes shoqatave përkatëse, fermerët komercialë janë informuar mbi masat mbrojtëse, të cilat janë thelbësore për ruajtjen e shëndetit të shpendëve të tyre.
“Duke qenë se gripi i shpendëve përhapet kryesisht nga shpendët shtegtarë, parandalimi i tij paraqet sfida për çdo vend. Bashkëpunimi i fermerëve dhe zbatimi i masave të duhura mbeten kyç për mbrojtjen e fermave dhe sektorit të shpendarisë në Kosovë”, theksohet në njoftim.
/Motilokal.com
