Mikroplastika në retë mund të ndikojë në parashikimet e motit

Mikroplastika në retë mund të ndikojë në parashikimet e motit

Mikroplastika është zbuluar në atmosferën e Tokës dhe mund të ndikojë në motin dhe klimën, sipas shkencëtarëve nga Universiteti Penn State (PSU) në Pensilvani.

Në studimin e botuar në revistën Environmental Science and Technology: Air, studiuesit zbuluan se mikroplastika mund të veprojë si grimca bërthamore të akullit, aerosole mikroskopike që nxisin formimin e kristaleve të akullit në re dhe atmosferë.

Prof. Miriam Freedman nga PSU thotë se ky efekt mund të ndikojë në modelet e reshjeve, duke e bërë më të vështirë parashikimin e saktë të motit dhe modelimin e klimës, si dhe duke ndikuar në sigurinë e aviacionit.

"Gjatë dy dekadave të fundit, shkencëtarët kanë zbuluar se mikroplastika është kudo, dhe ky studim shton një pjesë tjetër në këtë enigmë", thekson Freedman.

Grimcat plastike janë gjetur edhe në trupin e njeriut dhe në zinxhirin ushqimor. Në disa raste, ato shpërbëhen në nanogrimca edhe më të vogla, të cilat mund të kalojnë barrierën gjaku-tru ose të transmetohen nga nëna tek fëmija i palindur.

"Tani është e qartë se duhet të kuptojmë më mirë ndërveprimin e mikroplastikës me sistemin klimatik, pasi kemi treguar se ato luajnë rol edhe në formimin e reve", paralajmëron Freedman.

Ndërsa ndotja plastike shpesh lidhet me mbeturinat që lundrojnë në oqeane, një tjetër studim i PSU, i planifikuar për botim në dhjetor në revistën Science of the Total Environment, tregon se mikroplastika është grumbulluar në lumenj që nga vitet 1950.

Nga ana tjetër, studiues nga Universiteti i Stokholmit paralajmërojnë se, ndonëse çdo vit prodhohen 500 milionë ton plastikë, vetëm 9% e tyre riciklohet.

/Motilokal.com