Koha ideale për riplehërimin e grurit

Koha ideale për riplehërimin e grurit

Ministria e Bujqësisë e Kosovës përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se tashmë është koha ideale për riplehërimin e grurit.

Kjo ministri ka kërkuar nga fermerët që t’i kushtojnë rëndësi të madhe përdorimit të agroteknikës adekuate, e cila ka një ndikim të madh në zhvillimin e kulturave bujqësore.

Të nderuar fermerë,

Riplehërimi i grurit me materie azotike është një masë e rëndësishme agroteknike, e cila ka një ndikim të madh në zhvillimin e kulturave bujqësore.

Përse është i rëndësishëm ri plehërimi i grurit?

Materiet azotike, siç janë plehrat organike dhe kimike që përmbajnë azot, janë thelbësore për rritjen e shëndetshme të grurit. Azoti është një nga elementët kryesorë që kontribuon në formimin e klorofilit, duke ndihmuar kështu në procesin e fotosintezës dhe në rritjen e bimëve.

Përfitimet e riplehërimit me Azot:

• Riplehërimi i duhur me azot ndihmon në rritjen e masës bimore, duke kontribuar kështu në një prodhim më të lartë të grurit.

• Azoti ndihmon në formimin e proteinave, çka është esenciale për cilësinë e drithërave dhe përfitimet ekonomike që lidhen me to.

• Bimët që janë të mirë plehëruara janë më të qëndrueshme ndaj sëmundjeve dhe kushteve të këqija të motit.

Riplehërimi mund të bëhet në disa faza, duke pasur parasysh fazat e rritjes së grurit. Një aplikim në fillim të zhvillimit dhe një tjetër gjatë periudhës së rritjes intensive mund të japin rezultate optimale:

Riplehërimi i parë i grurit duhet të bëhet në fillim të vegjetacionit pranveror, kur temperaturat ditore stabilizohen në 10-15 gradë C. Avantazhe kanë formulimet me azot në formë të nitrateve dhe amoniaku NAG, sepse format nitrate të azotit përvetësohen më shpejt, edhe në temperatura më të ulëta.

Ri plehërimi i dytë i grurit, përdorim NAG-un (27% N), në sasi rreth 150 kg/ha, varësisht nga gjendja momentale e zhvillimit të bimëve të grurit. Me riplehërimin e dytë hedhim sasinë e mbetur të materieve azotike për nevojat e bimëve të grurit, pra rreth 30% të plehut azotik për ushqim plotësues të bimës së grurit. Ri plehërimi i dytë bëhet një muaj pas ri plehërimit të parë dhe fillon nga 01-15 prill, duke pasur efekt korrektues.

Ri plehërimi i tretë i grurit në praktikën tonë nuk është shumë i pranuar, edhe pse e njëjta sasi e azotit e shpërndarë në tri këste jep rezultate më të mira sesa në dy këste, sepse humbjet e azotit janë më të vogla. Në disa vite, kur pas ri plehërimit të dytë bien shumë reshje, ri plehërimi i tretë është teknologjikisht dhe ekonomikisht i justifikuar, edhe pse në përgjithësi mund të themi se ri plehërimi i tretë zakonisht rrit cilësinë, ndërsa prodhimin shumë rrallë.

Para se të filloni plehërimin, është e rekomandueshme të bëni një analizë të tokës për të përcaktuar sasinë e azotit dhe elementeve të tjerë që mungojnë. Sasia e materieve azotike duhet të përcaktohet në bazë të nevojave specifike të kulturës suaj dhe të rekomandimeve të specialistëve, si:

• Në riplehërimin e parë të përdoren: 100-120 kg/ha NAG (27% N)

• Në riplehërimin e dytë të përdoren: 180-220 kg/ha NAG (27% N)

• Në riplehërimin e tretë të përdoren: 100 kg/ha ose 50 kg Ure (46% N)

Nëse shpërndarja e plehut nuk bëhet në tri faza, atëherë sasia e riplehërimit të tretë duhet të shpërndahet gjatë riplehërimit të parë dhe të dytë.

Masat e përkujdesjes:

Sasitë e mëdha të azotit ndikojnë në rrëzimin e bimëve për tokë, duke zvogëluar rendimentin dhe cilësinë. Mungesa e azotit ndikon në rritjen dhe zhvillimin e dobët të pjesës vegjetative të bimës së grurit. Sasia e materies aktive gjatë riplehërimit duhet të sillet nga 80-150 kg/ha.

Nëse keni ndonjë pyetje ose nevojë për këshilla të mëtejshme, ju inkurajojmë të kontaktoni Këshilltarët bujqësorë në Qendrën Informative Këshilluese Komunale tuaj ose mund të drejtoheni në Departamentin e Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike në MBPZHR, rruga “Ukshin Hoti”, ndërtesa e ish Ramiz Sadikut, nr. 120 Kati III në Prishtinë, si dhe në Tel. 383- (0)38 200 38 426.

/Motilokal.com