Rreth 300 raste të zjarreve në tri ditët e fundit në Kosovë

Rreth 300 raste të zjarreve në tri ditët e fundit në Kosovë

Për tri ditë në Kosovë janë raportuar 294 zjarre aktive, për të cilat dyshohet se janë shkaktuar kryesisht nga faktori njeri.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent të MPB-së, Genc Metaj, gjatë një konference për media.

“Sipas të dhënave tona, vetëm në javën e parë të marsit janë regjistruar 57 raste të zjarreve. Ndërsa, nga data 7 deri më 10 mars, që përfshin fundjavën e kaluar, janë evidentuar 294 raste të zjarreve. Nga këto, 75 janë regjistruar si zjarre malore, 156 si zjarre fushore dhe 63 të tjera në zona të ndryshme”, ka deklaruar ai.

Metaj ka bërë të ditur se zjarret më serioze aktualisht janë aktive në tri lokacione: në fshatin Dobroshec të Drenasit, në fshatin Kiriqev të Kamenicës dhe në fshatin Drenoc të Malishevës.

“Shkaqet kryesore të këtyre zjarreve lidhen me veprimtaritë e njeriut. Si agjenci, kemi marrë të gjitha masat e nevojshme, kemi ngritur gjendjen e gatishmërisë në nivel vendi dhe nga sot kemi nisur patrullimet me zjarrfikësit”, ka shtuar ai.

Metaj ka theksuar se situata është jashtë normales dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërinstitucional me qëllim të parandalimit të zjarreve të mëtejshme.

Sa i përket vlerësimit të dëmeve, ai ka sqaruar se aktualisht nuk është i mundur për shkak të procedurave që janë në proces.

/Motilokal.com