Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore pezullon punimet në sheshin 'Xhorxh Bush'

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore pezullon punimet në sheshin 'Xhorxh Bush'

Ditë më parë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nisur punimet për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”. Ndërsa sot, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndaluar punimet që kishin filluar të hënën në kryeqytet.

Sipas Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, projekti 18 milionësh për sheshin “Xhorxh Bush” është në kundërshtim me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Inspektorati ka vendosur një njoftim ndalimi mbi pllakatën e projektit, duke e detyruar Komunën që të ndërpresë punimet deri sa të sigurojë miratimin nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Punimet mund të rinisen vetëm pasi të merret aprovimi për projektin dhe të kryhen nën mbikëqyrjen e institucioneve përkatëse të trashëgimisë kulturore.

Të hënën, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, shpalli nisjen e punimeve për sheshin “Xhorxh Bush”, pa marrë paraprakisht pëlqimin nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Ky projekt po zhvillohet në një zonë të mbushur me monumente të rëndësishme kulturore, duke përfshirë hotelin “Grand”, Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, Radio-Kosovën dhe Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Ligji për Trashëgiminë Kulturore, i miratuar që në vitin 2006, e përcakton qartë se çdo ndërhyrje në pronat e trashëgimisë kulturore ose pranë tyre kërkon miratimin nga institucionet kompetente. Në këtë rast, Instituti i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore është autoriteti që duhet të japë miratimin.

Përfaqësuesit e Institutit kanë theksuar se "Komuna nuk ka dërguar projektin për miratim, pavarësisht se ai është i afërt me katër monumente të rëndësishme. Sipas Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, çdo ndërhyrje duhet të miratohet paraprakisht."

Projekti është kontraktuar nga kompania “Salillari” nga Shqipëria dhe disa kontraktues të tjerë nga Kosova, me një vlerë financiare prej 18 milionë e 400 mijë euro. Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë i është drejtuar Komunës me kërkesën për sigurimin e pëlqimit të nevojshëm, duke theksuar se projekti prek katër monumente të rëndësishme. Po ashtu, QRTK-ja ka kërkuar që Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore të ndërmarrë masat përkatëse.

Në ditën e fillimit të punimeve, kryetari Rama kishte deklaruar se nuk ka asnjë pengesë për nisjen e punimeve, pavarësisht mundësisë së lindjes së kontesteve pronësore.

/Motilokal.com