Duke filluar nga 1 qershori, kompanitë e mëdha në Kosovë duhet të zgjedhin vetë furnizuesit e tyre të energjisë elektrike. Ndërsa rregullatorët e shohin këtë si një hap drejt liberalizimit të tregut të energjisë, drejtuesit e bizneseve paralajmërojnë për rritje të kostove dhe paqëndrueshmëri ekonomike.
Sipas kërkesës së Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE), të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro do të kalojnë në tregun e hapur të energjisë duke filluar nga 1 qershori. Kjo masë, e përcaktuar në Ligjin për Energjinë Elektrike, kërkon që bizneset të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre të energjisë elektrike.
KESCO mbetet furnizuesi më i madh në vend, por edhe kompani të tjera të licencuara ofrojnë këtë shërbim. Përfaqësuesit e këtyre kompanive, si dhe afaristët, paralajmërojnë se ky tranzicion mund të shkaktojë destabilizim ekonomik dhe rritje të çmimeve të produkteve.
Me liberalizimin e tregut, çmimi për kilovat pritet të mos jetë më i ulët se 15 centë, krahasuar me rreth 7 centë që paguajnë aktualisht bizneset. Ky ndryshim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në koston e produkteve dhe shërbimeve.
Sipas ZRRE-së, kompanitë që dalin në tregun e liberalizuar mund të furnizohen nga çdo kompani vendore me licencë apo kompani të huaja. Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 18 kompani të tjera përveç KESCO-s për furnizim dhe tregtim me shumicë të energjisë elektrike.
KESCO, në një njoftim të publikuar më 5 mars, bëri të ditur se kompanitë komerciale me mbi 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro duhet të zgjedhin furnizuesin e tyre brenda 15 ditësh, pasi nga 1 qershori nuk do të jenë më në listën e konsumatorëve me tarifa të rregulluara. Ato do të kalojnë në furnizim me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.
Operatori për Furnizim me Energji, KOSST, ka publikuar një listë të pjesëmarrësve në tregun e energjisë në Kosovë, ku përfshihen 26 furnizues të energjisë. Listën mund ta gjeni duke ndjekur Link-un.
Vlen të përmendet se marrëveshjet komerciale për furnizim me energji mund të jenë të tipeve të ndryshme, përfshirë kontrata bilaterale të bazuara në sasi fikse të shkëmbimit të energjisë, kontrata me çmime fikse, opsione, etj.
KESCO gjithashtu ka njoftuar se do të kontaktojë të gjithë konsumatorët komercialë përmes një shkrese zyrtare, duke u kërkuar që të dëshmojnë se nuk i plotësojnë dy kriteret për operim në treg të hapur. Këto dëshmi mund të merren nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe të dërgohen në adresën e emailit: [email protected] ose në pikat e KESCO-s.
Liberalizimi i tregut të energjisë konsiderohet një proces i rëndësishëm për vendet moderne, pasi mundëson funksionimin e drejtë të tregut dhe formimin e çmimeve të bazuara në konkurrencën e lirë, larg ndikimeve të jashtme si presioni politik.
/Motilokal.com
