
Nga fillimi i marsit kemi hyrë në stinën e pranverës sipas kalendarit meteorologjik, ndërsa pas pak ditësh do të hyjmë zyrtarisht në pranverë sipas kalendarit astronomik.
Megjithatë, edhe pse pranvera ka trokitur, dimri ende nuk është tërhequr plotësisht, dhe moti vazhdon të na surprizojë.
Në Kosovë, të hënën dhe të martën pritet kalimi i një fronti të ftohtë, i cili do të sjellë reshje bore në viset malore, ndërsa në viset e ulëta priten fillimisht reshje shiu, që më pas mund të shndërrohen në reshje të lehta bore. Gjithashtu, priten erëra të forta gjatë fillimit të javës.
Këto kushte atmosferike paraqesin një lajm të keq për fermerët, pasi në orët e para të mëngjesit pritet rënie e ndjeshme e temperaturave, çka mund të shkaktojë dëme në kulturat pemëtare.
Gjithashtu, mëngjeset e datave 18 dhe 19 mars do të karakterizohen nga ngrica.
Temperaturat gjatë ditës së martë dhe të mërkurë pritet të variojnë nga -1 deri në 2 gradë Celsius dhe nga -2 deri në 7 gradë Celsius.
Reshje bore parashikohen edhe në Shqipëri, ku përveç zonave malore, pritet të përfshihen edhe disa zona të ulëta. Po ashtu, borë pritet të bjerë në viset malore dhe të ulëta të Maqedonisë.
/Motilokal.com