Përmbytje në veri të Bosnjës, gjendje e jashtëzakonshme në disa komuna

Përmbytje në veri të Bosnjës, gjendje e jashtëzakonshme në disa komuna

Dy persona janë zhdukur në Tuzëll të Bosnje dhe Hercegovinës pas reshjeve të mëdha që kanë shkaktuar rritjen e nivelit të ujit në lumenjtë e vendit.

Njëri prej tyre është një polic, ndërsa tjetri një person që në orët e paradites së 27 marsit u arratis nga policia dhe hyri në shtratin e lumit Jala.

Reshjet intensive, që po vazhdojnë për ditën e tretë radhazi, kanë bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati në pjesën më të madhe të Bosnje dhe Hercegovinës. Situata më e rënduar raportohet në veri dhe veriperëndim, ku disa rrugë kryesore janë mbyllur.

Në Laktash, pranë Banjallukës, rreth 100 shtëpi janë përmbytur. Lumi Bukovica ka çarë kanalin rreth orës katër të mëngjesit, duke përmbytur një lagje të tërë.

Sipas Institutit Federal Hidrometeorologjik, reshjet intensive do të vazhdojnë deri më 29 mars, ndërsa më pas pritet stabilizim gradual i motit dhe ndërprerje e reshjeve deri më 3 prill.

Në fund të vitit të kaluar, Bosnja u përball me përmbytje shkatërrimtare. Më 4 tetor, 27 persona humbën jetën nga vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut, ndërsa shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e fuqishme shkaktuan dëme të mëdha në Bosnjën jugore dhe qendrore, duke shkatërruar shtëpi, rrugë dhe duke ndërprerë energjinë elektrike në disa zona.

/Motilokal.com