Moti i keq ka goditur rëndë një pjesë të madhe të Greqisë pasditen e së hënës duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ishujt Kikladhes. Pika më e prekur është ishulli i Parosit, ku reshjet e dendura kanë krijuar rrjedha të fuqishme uji që kanë marrë me vete automjete dhe kanë shkaktuar rrëshqitje dheu.
Autoritetet kanë dërguar një mesazh emergjence për banorët dhe vizitorët në Paros, duke ndaluar qarkullimin e automjeteve për shkak të situatës së rëndë.
"Ndalim i lëvizjes me automjete në rrugët e Parosit për shkak të kushteve ekstreme të motit. Përjashtohen vetëm mjetet e emergjencës", thuhej në njoftimin e 112.
Kryetari i bashkisë së Parosit, Kostas Bizas, deklaroi se për dy orë ka pasur reshje të pandërprera, duke shkaktuar shembje gurësh dhe fryrje të lumenjve. Bashkia e ishullit u bëri thirrje banorëve të mos lëvizin deri në përmirësimin e situatës, duke konfirmuar dëme të mëdha në rrugë, përfshirë përmbytje dhe shembje të segmenteve rrugore.
Moti i keq ka prekur edhe Mykonos-in, ku një tjetër mesazh nga 112 u dërgua pak para orës 19:00, duke ndaluar qarkullimin e automjeteve. Në ishull ka rënë breshër i dendur, i ndjekur nga reshje të forta shiu, duke shndërruar rrugët në lumenj.
Stuhia ka prekur edhe ishujt e tjerë të Kikladhes si Syros, por edhe rajone në Evia dhe Peloponez, duke sjellë reshje të dendura shiu dhe breshër. Autoritetet vazhdojnë punën për të menaxhuar situatën emergjente ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet për sigurinë e tyre.
/Motilokal.com
